Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili iu përgjigj me akuza të forta Sali Berishës gjatë debatit në Kuvend për çështjen e SHISH-it. Duke sjellë në vëmendje veprimtarinë e ish-SHIK-ut, ngjarjet e vitit 1997 dhe rastin e Remzi Hoxhës, Ismaili akuzoi ish-kryeministrin se e kishte përdorur shërbimin informativ si instrument të pushtetit të tij.
“Nuk harrojnë shqiptarët, se nuk ka se si të harrojnë”, u shpreh ministrja, duke kundërshtuar qëndrimet e opozitës për rënien e shtetit. Sipas saj, historia e SHIK-ut gjatë qeverisjes së demokratëve lidhet me përndjekje, përgjime dhe dhunë ndaj kundërshtarëve.
Ismaili u ndal veçanërisht te roli i Bashkim Gazidedes gjatë trazirave të vitit 1997, duke i kërkuar Berishës të japë shpjegime edhe për largimin e ish-kreut të shërbimit nga Shqipëria.
“Po si mund të harrohet SHIK-u i Gazidedes, si drejtues i operacionit famëkeq të ’97-ës për shtypjen e revoltave popullore?”, tha ajo.
Në vijim, ministrja përmendi dënimin e ish-zyrtarit të SHIK-ut, Ilir Kumbaro, në çështjen e rrëmbimit të biznesmenit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Remzi Hoxha, si dhe ngriti pikëpyetje për pjesëmarrjen e biznesmenit Damir Fazliç në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, me ftesë të Berishës.
Duke iu referuar një vizite të kreut të PD-së në Vlorë, Ismaili e lidhi pritjen me fishekzjarre me kujtesën e ngjarjeve të vitit 1997. Ajo akuzoi SHIK-un e asaj periudhe për armatosjen e mbështetësve të pushtetit, djegie redaksish dhe dhunë ndaj gazetarëve.
Përballë këtyre akuzave për të shkuarën, ministrja mbrojti qëndrimin e mazhorancës ndaj hetimit të drejtueses së SHISH-it. Sipas saj, përgjegjësia përpara ligjit është individuale dhe hetimi i një funksionari dëshmon se askush nuk gëzon pushtet absolut.
“Ne luftojmë për të garantuar pavarësinë e drejtësisë, ju luftoni drejtësinë”, deklaroi Ismaili.
Ajo e akuzoi opozitën për qëndrime të dyfishta ndaj organeve të drejtësisë, duke thënë se i mbështet hetimet kur prekin përfaqësues të mazhorancës, por i cilëson të kapura kur hetohen përfaqësues të saj.
“S’mund të thoni se ka drejtësi kur në hetim është një subjekt i mazhorancës, por drejtësia është e kapur kur është subjekt i hetimit të opozitës. Drejtësi me dy standarde nuk ka”, u shpreh ministrja.