×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Kush është “El Mayo”, bossi i shumëkërkuar meksikan i drogës që po dyshohet se po shpërlan para në Shqipëri

    Reporteri
    16 Shtator 2022 | 14:30

    Media meksikane “El Universal” ka publikuar një artikull të gjerë për trafikun e drogës nga Sinaloa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në shumë shtete në Evropë, veçanërisht në Shqipëri. Bosi i Kartelit Sinaloa, raportohet se është aleat me katër vëllezër shqiptarë.

    Sipas medias në fjalë, Ismael “El Mayo” Zambada, i njohur si El Mayo, është aleat i ngushtë me vëllezërit shqiptarë Luftar, Arben, Fatos dhe Ramiz Hysa. “El Universal” thotë se shqiptarët pastrojnë paratë e kokainës në një rrjet të gjerë kazinosh në Meksikë dhe në Shqipëri.

    “Autoritetet e inteligjencës së qeverisë federale zbuluan se Ismael Zambada García, alias El Mayo, lider i një fraksioni të kartelit Sinaloa, ishte aleat me mafien shqiptare për të pastruar miliona dollarë në biznese, pasuri të paluajtshme dhe investime në sektorin e turizmit bregdetar”, shkruan artikulli.

    Ismael Zambada është ndër personat më të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe FBI ofron deri në 15 milionë dollarë për çdo informacion që çon në kapjen e tij. Prej vitit 2000, El Mayo është ndër në mesin e personave më të kërkuar për trafik ndërkombëtar droge.

    Media thotë se zhvendosja e parave të krimit dhe trafikut të drogës në vendet Ballkanike dhe kryesisht në Shqipëri bëhet për shkak se ato kanë ekonomi të dobët dhe ligji nuk zbatohet. Mirëpo, “El Universal” thotë se pavarësisht kësaj, katër vëllezërit Hysa janë vënë “në shënjestër” të autoriteteve. “El Mayo” kishte krijuar lidhje me vëllezërit Luftar, Arben, Fatos dhe Ramiz Hysa, një grup kriminal shqiptar që është vënë në shënjestër nga autoritetet financiare për aktivitetin e parregullt ekonomik të regjistruar në sektorët e turizmit dhe kazinove në Meksikë si në Shqipëri”, thotë artikulli.

    Sipas burimeve të inteligjencës të konsultuara nga “El Universal”, katër shqiptarët zotërojnë një rrjet kazinosh dhe biznesesh në Sonora, Baja California dhe Quintana Roo, në të cilat pastrojnë miliona dollarë nga krimi i organizuar. Përveç kësaj, ata investojnë shuma të mëdha parash në Shqipëri për t’i pastruar ato, në investime të fokusuara në aktivitetet e lojërave të fatit dhe në fushën e turizmit.

    Ismael “El Mayo” Zambada historikisht ka punuar ngushtë edhe me Kartelin Juárez dhe familjen Carrillo Fuentes, duke ruajtur lidhje të pavarura me furnizuesit e kokainës kolumbiane, shkruan gazeta Online Reporteri.net.

    Zambada ka qenë i kërkuar nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Meksikës që nga viti 1998, kur lëshoi ​​shpërblimin prej 2.8 milionë dollarëve për të dhe pesë udhëheqës të tjerë të kartelit Juárez.

    “El Mayo” drejtoi edhe kartelin Sinaloa në partneritet me Joaquín “El Chapo” Guzmán, deri në vitin 2016 kur El Chapo u kap.

    Zambada tani llogaritet se ka marrë komandën e plotë të kartelit Sinaloa. Zambada ka të ngjarë të jetë “bossi” më i qëndrueshëm dhe më i fuqishëm i drogës në Meksikë. Ai besohet të ketë bërë operacione plastike dhe është maskuar për të lëvizur nëpër Meksikë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!