Zbulimi i pakos bombë pranë Pallatit të Kulturës në Vlorë, mund të ketë shmangur një atentat, por policia ende nuk e ka të qartë se kush ishte objektivi.
Sipas burimeve 200 gram tritol ishin të lidhur me një telefon dhe ishin gati për aktivizim nga distanca.
Ishin banorët e zonës ata që njoftuan policinë dhe më pas ekspertët xhenierë nga Tirana që shmangën rrezikun, por ngjarja ka ende shumë pikëpyetje.
Mbetet ende e paqartë nëse pakoja ka rënë nga ndonjë makinë, apo ishte e vendosur për automjetet që ishin të parkuara në atë zonë.
Mësohet se policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë nga pallati i kulturës dhe bizneset në zonë.
Mbi bazë të pamjeve, grupi hetimor synon të rindërtojë ngjarjen dhe të bjerë në gjurmët e autorit.
Sulmet me bomba artiazanale kanë qenë të shumta në qytetin e Vlorës.
Ndërsa më 1 prill të vitit të kaluar qyteti kaloi më shumë se 4 orë panik pasi një bombë e ngjashme u zbulua ne mes të rrugës kryesore në Lagjen 10 Korriku.