×
  • Lajme
  • Shqipëria

    “Mbase sot lajmi i mirë”, paralajmërimi i Edi Ramës pas takimit sot me presidentin bullgar

    Reporteri
    30 Qershor 2022 | 12:28

    Në ditën e dytë të samitit të NATO-s në Madrid, Kryeministri Edi Rama bisedoi për disa minuta me presidentin bullgar Rumen Radev.

    Në pamjet e takimit të shpërndara nga vetë Kryeministri shqiptar në rrjetet sociale mund të shihet se palët kanë pasur një bisedë konstruktive, sa kohë që edhe vetë në postim Rama shkruan: “Mbase sot lajmi i mirë…”.

    Kujtojmë që hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u pengua për shkak të vetos bullgare.

    Por biseda nuk është ndalur vetëm mes Ramës dhe Radev. Në pamje mund të shihet po ashtu se krah Ministrit të Jashtëm të RMV, Bujar Osmani, Kryeministri Rama bisedon me presidentin francez Emmanuel Macron dhe presidentin bullgar Radev.

    Pamjet e Ramës me presidentin bullgar vjen disa ditë pasi Rama tha fjalë të rënda për Bullgarinë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.

    Rama tha se “Bullgaria, vend anëtar i NATO-s, i ka kidnapuar dy vende anëtare të NATO-s, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, duke mos shprehur aspak optimizëm se BE do t’i hapë negociatat për anëtarësim.

    Ai tha po ashtu se vendet tjera të BE-së nuk po bëjnë asgjë tjetër përveçse po vështrojnë.

    “Unë ua kam thënë dhe po e përsëris. Përkundër optimizmit të ngutur të disave edhe këtu në Bruksel, nuk pres të zgjidhet asgjë në Bullgari, por edhe nëse do të zgjidhet, do të jetë një motiv për të marrë frymë të lehtësuar nga kjo pengmarrje e një vendi të NATO-s, të dy vendeve të NATO-s në kulmin e një lufte të nxehtë në kufi të Europës dhe nën vështrimin e 26 vendeve tjera që shohin si yjet që rrinë e vështrojnë”, kishte deklaruar Rama.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!