Me një lutje për Zotin që ta ruajë Shqipërinë, mesazhi i Kishës Katolike në këtë fund vit ju drejtua veçanërisht të dëmtuarve nga tërmeti i 26 nëntorit.
Imzot George Frendo kërkoi nga ata që duan të largohen nga vendi të mos e bëjnë, por të mendojnë për një Shqipëri më të mirë.
Mesazhi i Kishës Katolike për këto Krishlindje i është dedikuar të dëmtuarve nga tërmeti.
Imzot George Frendo, në deklaratën e përvitshme të fundvitit u shpreh se tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi një tragjedi për Shqipërinë, por tregoi dhe solidaritetin e madh të kujtdo për tu ardhur në ndihmë të prekurve.
Imzot George Frendo: Nata e 26 nëntorit ka qenë një tragjedi e madhe. Por ka qenë edhe rast që shumë njerëz, shqiptarë si edhe të huaj, të tregonin solidaritetin e tyre me ata që kanë humbur një ose më shumë persona të vdekur nën rrënoja, dhe me ata që kanë humbur shtëpinë. Ne, si Kishë Katolike, por jo vetëm ne, jemi duke ndihmuar shumë persona që po vuajnë pasojat e tërmetit. Sot, nga grazhdi, Jezusi fëmijë, i etur dhe lakuriq, na kujton fjalët që ai, si i rritur, na tha: “Pata uri, e më dhatë për të ngrënë, isha i zhveshur e më veshët”.
Në këtë konferencë, Imzot Frendo foli dhe për largimin e qytetarëve nga Shqipëria. Ai u kkëroi atyre që mendojnë emigracionin të ëndërrojnë që të krijojnë një Shqipëri më të mirë.
Imzot George Frendo: Ndoshta shumë prej jush ëndërroni të largoheni nga Shqipëria. Por ëndërroni më shumë të krijoni një Shqipëri më të mirë. Vlerësoni më shumë gjërat e bukura në këtë vend dhe tiparet e bukura që keni trashëguar si popull, ndër të cilat sot përmend veçanërisht solidaritetin që tregoni në rast fatkeqësie.
“Ruaje o Zot Shqipërinë Tonë”, ishte lutja me të cilën imzot Frendo përfundoi mesazhin e përvitshëm të Krishlindjeve.