Presidenti Ilir Meta është shprehur në lidhje me situatën ligjore mbas 30 qershorit dhe zgjidhjen e krizës. Nëpërmjet një deklarate për mediet, Meta tha se dekreti për anulimin e datës 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, deri në ditën e sotme nuk është kundërshtuar nga ndonjë forcë politike apo nga ndonjë subjekt tjetër politik ose jo politik përpara ndonjë gjykate në Republikën e Shqipërisë përfshi këtu edhe Kolegjin Zgjedhor.
Kreu i shtetit edhe një herë theksoi faktin se dekreti i datës 10 qershor, 2019 është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë.
Ndër të tjera, Presidenti shton se sipas Kodit Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të shqyrtojë vlefshmërinë e Dekreteve të Presidentit, pasi këtë të drejtë nuk ia njeh as Kushtetuta, as Kodi Zgjedhor dhe as ndonjë ligj tjetër në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
Presidenti komentoi edhe tentativën e Partisë së Unitetit Kombëtar, e cili i kërkoi Kolegjit Zgjedhor që të tërhiqej nga zgjedhjet e 30 qershorit, duke thënë se PS e përdori këtë parti për të anatemuar indirekt vendimin e Kreut të Shtetit.
“Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, e cila do të duhej të shqyrtonte çdo pretendim mbi kushtetutshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës, Partia Socialiste dhe KQZ, duke përdorur Partinë e Unitetit Kombëtar (PUK, aleat i Partisë Socialiste në këto zgjedhje) inskenuan një veprim procedural për të anatemuar indirekt vendimin e Kreut të Shtetit me qëllim për të ndërtuar një operacion propagandistik brenda e jashtë vendit, që të dezinformonin se Dekreti i Presidentit u shfuqizua nga Kolegji Zgjedhor”, tha Meta.