×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Meta niset drejt Estonisë, takime me krerët e politikës

    Reporteri
    30 Shtator 2019 | 17:54

    Presidenti, Ilir Meta, sot niset për një vizitë zyrtare dy ditore në Estoni. Me anë të një lajmërimi në faqen zyrtare të Presidencën, njoftohet se vizita e Metës në Estoni vjen pas ftesës që i ka bërë homologu i tij në këtë shtet, Kresti Kaljulaid.


    Ndër të tjera thuhet se temë diskutimi mes dy krerëve të shtetit do të jenë sfidat e përbashkëta të sigurisë europiane, proceset e integrimit euro-atlantik dhe bashkëpunimi dypalësh në të gjitha fushat me interes reciprok.

    Në prani të dy Presidentëve do të nënshkruhet edhe Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e Integrimit Europian ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme të të dy vendeve.

    Po ashtu në njoftim thuhet se gjatë kësaj vizite, Presidenti Meta do të takohet edhe me Kryetarin e Parlamentit të Estonisë, Henn Polluaas, dhe Kryeministrin Juri Ratas.

    Gjatë qëndrimit në Estoni, Presidenti do të japë një ligjëratë në Shkollën estoneze të Diplomacisë, si dhe do të vizitojë Qendrën e Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike të NATO-s dhe Qendrën e Brifingjeve E-Estonia.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!