×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Meta pret nesër Ramën dhe Bashën për koronavirusin, tregon skenarët që do të diskutohen

    Reporteri
    24 Mars 2020 | 21:30

    Presidenti Ilir Meta ka treguar se çfarë do të diskutohet ditën e nesërme në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe liderin e opozitës, Lulzim Basha.


    Sipas kreut të shtetit, gjatë diskutimit me aktorët kryesorë të shtetit dhe politikës shqiptare do të diskutohet mbi parashikimin dhe ndërtimin e një plani afatgjatë në varësi me skenarët e zhvillimit të kësaj pandemie në nivel kombëtar por edhe ndërkombëtar.

    “Bashkëpunimi ka qenë i vazhdueshëm për përballimin e kësaj sfide të re dhe tërësisht të pazakontë. Tani është momenti për të diskutuar edhe një herë, jo vetëm për masat e marra deri tani, por edhe rreth parashikimit mbase për një plan më afatgjatë, në varësi me skenarët e zhvillimit të kësaj pandemie në nivel kombëtar por edhe ndërkombëtar”, u shpreh Meta në një intervistë për emisionin ‘Përballë’ në RTSH.

    Meta shpjegoi se bashkë me Ramën dhe Bashën do të përqendrohen tek skenarët e ndikimit në ekonomi dhe në jetën sociale të koronavirusit dhe si do të mund të mbrohet vendi përballë kësaj pandemie.

    “Njëkohësisht do përqëndrohemi edhe tek skenarët e ndikimit në ekonomi, në jetën sociale, në mënyrë që në çdo aspekt të jemi sa më të mbrojtur dhe të dalim nga kjo situatë e jashtëzakonshme me sa më pak pasoja, si për sa i takon shëndetit të qytetarëve tanë, por edhe ekonomisë tonë kombëtare dhe familjare”, tha më tej Meta.

    Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare do të mbahet ditën e nesërme në formatin online, ku do të shmangen takimet e drejtpërdrejta për të diskutuar mbi mënyrën se si do të menaxhohet situata e rëndë e krijuar nga koronavirusi në Shqipëri, ku numri i të prekurve vjen duke u rritur, ndërsa janë shënuar 5 viktima deri më sot.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!