×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Miratimi i marrëveshjes së “5 qershorit”, reagon opozita e bashkuar

    Reporteri
    23 Korrik 2020 | 18:43

    Opozita e bashkuar ka reaguar pas miratimit në Kuvend të marrëveshjes së 5 qershorit për reformën zgjedhore.


    Përmes një deklarate për mediat, opozita jashtëparlamentare thekson se “miratimi i sotëm i marrëveshjes së 5 Qershorit pa ndryshime, dhe pa ndryshime kushtetuese të njëanshme që e minojnë atë, si dhe vijimi i dialogut politik mes palëve, është rruga e vetme për të ruajtur konsensusin e arritur.”

    Në deklaratën e koalicionit opozitar theksohet se ruajtja e konsensusit mes palëve politike shton shanset për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

    Deklarata e koalicioni të opozitë së bashkuar:  

    Miratimi i sotëm i Marrëveshjes së 5 Qershorit pa ndryshime, dhe pa ndryshime kushtetuese të njëanshme që e minojnë atë, si dhe vijimi i dialogut politik mes palëve, është rruga e vetme për të ruajtur konsensusin e arritur, që është mbajtur shënim nga partnerët dhe shton shanset për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

    Ky është qëllimi i Opozitës së Bashkuar, që nga 14 Janari, ku jemi angazhuar në mirëbesim në Këshillin Politik. Ky duhet të jetë qëllimi i përbashkët i të gjitha partive politike në Shqipëri, si e vetmja mënyrë për garantimin e një klime normale politike para zgjedhjeve, dhe për ecjen përpara të Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

    Opozita e Bashkuar shpreh mirënjohjen ndaj SHBA – BE dhe Vendet Anëtare – Britania e Madhe – OSBE për ndihmën dhe mbështetjen e çmuar për arritjen e një Reforme Zgjedhore konsensuale, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

    Opozita e Bashkuar është e gatshme të vijojë dialogun në mirëbesim dhe me seriozitet, për çdo çështje tjetër, pa cënuar rezultatet e Marrëveshjes së 5 Qershorit. Heqja dorë nga aktet e njëanshme që minojnë konsensusin e arritur pas 6 muajve përpjekje, dhe angazhimi i të gjitha partive politike për të arritur konsensus për çdo çështje që lidhet me zgjedhjet, i shërben Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!