×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Mure e çati të çara: Çfarë ka mbetur nga tërmeti i 1 nëntorit në Korçë

    Reporteri
    04 Nëntor 2019 | 20:58

    Fshati Qafëzez i prekur nga tërmetet e njëpasnjëshme që prej fillim qershorit së fundmi u shkund nga një tjetër tërmet i fuqishëm siç ishte ai i 1 nëntorit.


    Pasojat që la ky tërmet për 6 banesa në këtë fshat sipas vetë banorëve janë shkatërrimtare.

    Suva të rrëzuara, mure të shembura dhe çati të zbuluara është panorama që ofrojnë sot këto shtëpi.

    Dimri ka trokitur e dhjetëra banorë të Qafëzezit, midis tyre fëmijë e gra shtatzëne, vijojnë të qëndrojnë tek çadrat, kontenieret apo në ahur, së bashku me kafshët shtëpiake.

    “Tërmeti i 1 nëntorit ka sjell shumë dëme. Pavarësisht dëmeve që ishin me 1 qershor. Çatia është prishur. Kanë rënë muret, tavanet. Çfarë bie jashtë futet brenda. Është shumë e vështirë. Kam një fëmijë 3 vjeç. Jam dita- ditës për të lindur. Ku ti çoj. Përjashta në çadër po rri”, thotë një grua shtatzënë, shkruan shqiptarja.com.

    Të ndodhur në kushte tepër të vështira banorët apelojnë për ndihmë. Ndërsa e vetmja zgjidhje sipas tyre për banesat e dëmtuara mbetet ndërtimi i tyre nga e para.

    “Këtu nuk jetohet. Në kontenier rri. Sa vjen e më ftohtë. Po troket dimri në derë. Ftohtë është. Unë sot dua të më ndërtohet shtëpia asgjë tjetër”, thotë një banor.

    “Banesat ishin të dëmtuara nga tërmeti i parë. Ky i hapi akoma më thellë çarjet. Nëse bie një tërmet tjetër, ato do të na zënë brenda. Jam i detyruar me gjithë familjen, me një vajzë të sëmurë të rri këtu me këtë çadër siç e shikoni edhe vetë në kushte miserable”, thotë një tjetër.

    “Tërmeti i datës 1 nëntor na ka rrënuar fare. Me çati, mure, tavanë. Ne jemi katastrofë”, u shpreh një tjetër banor.

    “Shumë ftohtë është. Po flemë përjashta”, tha një tjetër.

    Grupet e vlerësimit dhe specialistët e emergjencave civile ndodhen në terren për një vlerësim të ri të banesave të dëmtuara, ndërkohë do të shikohet mundësia e ndërhyrjes nga ana e bashkive me fondet e tyre.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!