Protesta e 94-të radhazi kundër qeverisë në Tiranë është shoqëruar këtë mbrëmje me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë. Një prej protestuesve është shoqëruar nga policia gjatë tubimit.
Situata është tensionuar përpara Kryeministrisë, ku një grup protestuesish ka tentuar të çajë kordonin policor dhe të afrohet drejt godinës së Kryeministrisë.
Pas paralajmërimeve të përsëritura përmes megafonëve, policia ka ndërhyrë për t’i zmbrapsur protestuesit, ndërsa më pas ka përdorur edhe gaz lotsjellës.
Policia ka blinduar zonën përreth Kryeministrisë, duke vendosur disa kordone për të penguar avancimin e protestuesve.
Protesta është zhvilluar në dy fronte. Një pjesë e protestuesve ka qëndruar përpara Kryeministrisë, ku janë mbajtur fjalime dhe janë përsëritur thirrjet kundër qeverisë, ndërsa një grup tjetër është pozicionuar pranë një prej hyrjeve të pasme të godinës dhe ka tentuar të avancojë drejt ambienteve të Kryeministrisë.
Në zonën pranë institucionit ka mbërritur edhe një autobot, i cili është vendosur në gatishmëri në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.
Ndërkohë, përpara Kryeministrisë vijojnë fjalimet e protestuesve, ndërsa situata mbetet e tensionuar.
Protesta e sotme shënon ditën e 94-t të mobilizimit të vazhdueshëm kundër qeverisë.
Kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa ata kërkojnë gjithashtu ndryshimin e klasës politike dhe krijimin e një qeverie tranzitore.