×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Nisin riatdhesimet, vjen grupi i parë i shqiptarëve nga Stambolli

    Reporteri
    18 Prill 2020 | 10:14

    Sot rinisën fluturimet nga disa destinacione në Europë për të rikthyer në atdhe shqiptarët që mbetën jashtë për shkak të mbylljes së kufijve si rezultat i masave të forta që u morën për të parandaluar përhapjen e epidemisë së koronavirusit. Grupi i parë i shqiptarëve erdhi nga Stambolli, ndërsa pasdite do të vijë grupi i dytë nga Roma.


    Sipas ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë sot 18 do të kryhen udhëtimet Stamboll-Tiranë, më pas Tiranë-Romë dhe Romë-Tiranë. Ndërsa nesër në datën 19 prill, do të kryhen fluturimet Tiranë-Milano dhe Milano-Tiranë. Në ditët në vijim, janë parashikuar fluturime riatdhesimi edhe nga Bari, Frankfurti, Parisi dhe Londra, ndërkohë që ministrja Balluku tha mbrëmë në emisionin ‘Pa Protokoll’ në Report Tv se po vlerësohen edhe destinacione të tjera.

    Por si do të funksionojë paketa? “Paketa do të jetë 100 € për fluturimin që do të paguhen nga personi dhe 21 € në ditë për akomodimin 14-ditor në hotel, prej të cilave 14 € do të mbulohen nga qeveria për fjetjen e shërbimin me standardet anticovid 19, ndërsa vetëm 7 € do të paguhen nga personi për ushqimin” tha Rama. Karantina do të bëhet në dy hotele në Durrës që do të ruhen nga ushtria, ndërsa kamerat do të monitorohen nga policia e shtetit.

    Po gjatë intervistës mbrëmë në Report Tv ministrja sqaroi edhe problemin me dhomat teke, ndërsa këshilloi shqiptarët që të mos aplikojnë në hotele pa dalë data e fluturimit. Lexo këtu të gjithë hapat si të bëni prenotimin. Deri tani, tha Balluku janë 10 mijë shqiptarë që kanë shprehur interesim për t’u kthyer në atdhe nga disa vende në Europë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!