×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Një euro metri katror për sigurimin e banesës nga fatkeqësitë natyrore

    Reporteri
    23 Shtator 2019 | 18:06

    Pronarët e banesave në Shqipëri do të paguajnë deri në 1 euro metrin katror për të siguruar banesat e tyre.


    Një përcaktim i tillë pritet të bëhet pjesë e ligjit të ri, përmes të cilit synohet garantimi i dëmshpërblimit në raste të fatkeqësive. Pavarësisht se në Shqipëri përgjatë dy viteve janë regjistruar dy tërmete të forta, ende nuk ka një reagim sa i përket sigurimit të banesave.

    Fatkeqësitë natyrore kanë ndikuar në rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për sigurimin e banesave. Nga të dhënat e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare rezulton se ka pasur një rritje me 6.18% të numrit të kontratave për sigurimin e ndërtesave nga zjarri dhe forcat e natyrës në 7 muajt e fundit të këtij viti, por kjo lidhet kryesisht me detyrimin e vënë nga bankat për banesat e blera me kredi.

    Sipas Shoqatës së Siguruesve në Shqipëri mungon kultura e sigurimit pavarësisht se kosto vlerësohet të jetë rreth 1 euro për m2, por edhe kjo në varësi të specifikave, transmeton oranews.

    Edvin Libohova: Nga eksperienca e vendeve të tjera diku është me 1 euro për metër katror, diku është më shumë, diku më pak, por me këto terma diskutohet. Pritet nëse do të kalojë projektligji për tu miratuar. Pjesa më e madhe janë të siguruar kur janë të detyruar nga marrja e një kredie në bankë. Në pak raste i kanë siguruar në mënyrë vullnetare.

    Para disa vitesh u diskutua ligji që parashikon sigurimin e detyrueshëm të banesave nga fatkeqësitë natyrore, por kjo tashmë ka mbetur pezull për shkak se pati shumë kundërshtime.

    Edvin Libohova: Ne i kemi çuar propozimet tona Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare dhe Autoriteti prej një viti i ka dërguar propozimet në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Zhvillimit të Infrastrukturës për të cilin deri më sot nuk ka ndonjë zhvillim. Me këtë rast duhet riaktivizuar dhe miratimi i këtij projektvendimi për këto dy elementë që janë shumë të rëndësishëm për qytetarët.

    Duke analizuar të dhënat e shoqërive që veprojnë në tregun e sigurimeve, vihet re se ritmet e rritjes së sigurimit të pronës nga zjarri dhe rreziqe të tjera shtesë në vitin 2018 ka qenë mbi 9 % krahasuar me vitin 2017.

    Objektet e siguruara janë 75% e shtëpi banimi dhe 25% e godinave të siguruara janë objekte biznesi.

    Çdo qytetar i interesuar ne lidhje me sigurimin mund të marrë asistencë pranë AMF-së për t’u informuar për përfitimet nga kontratat e sigurimit të pronës dhe banesave nga katastrofat natyrore si tërmetet, zjarri apo përmbytjet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!