×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Një tjetër vatër e coronavirusit në një fasoneri në Tiranë

    Reporteri
    30 Prill 2020 | 10:22

    Partia Demokratike propozon 5 masa urgjente që qeveria duhet të marrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në fasoneri.


    Ish-deputetja e PD, Albana Vokshi i shikon me shqetësim informacionet për shpërthimin e një vatre të re infektuese në një fasoneri në Tiranë.

    Ajo fajëson kryeministrin Rama për mos marrje të masave.

    Reagimi i Albana Vokshit:

    Disa punonjëse kanë rezultuar pozitive me COVID19 duke rrezikuar infektimin e qindra kolegeve të tyre, të cilat në nevojë të skajshme për mbijetesë detyrohen të shkojnë në punë për të mos humbur pagën. Papërgjegjshmëria dhe arroganca e Kryeministrit të gjithëpushtetshëm e ka lënë këtë sektor, të dominuar nga puna e krahut e grave dhe vajzave, në mëshirë të fatit.

    Propaganda e të pamëshirshmit i ka bërë nënat dhe vajzat të rrezikojnë shëndetin, duke shkuar në fasoneri për të siguruar bukën e gojët për fëmijët dhe familjet e tyre.

    Kryeministri për tekat e tij të liga, nuk përfshin në pagën e luftës, gratë dhe vajzat e punësuara në bizneset fason, duke iu mohuar një të drejtë ekonomike të ligjshme të tyre në kohën e pandemisë, sepse për të jeta e një gruaje vlen për të vetëm si një numër në statistikat e tij të propagandës së mashtrimit.

    Kryeministri Rama, mërzitet e shqetësohet vetëm për oligarkët me të cilët ndan para e pushtet, ndaj edhe në vend që t’I mbështesë, ju dërgon cdo ditë bizneseve fason, togat “e zeza” me të cilat ushron terror, a thua punëdhënësi më I madh në vend është armiku e jo aleati.

    Si qytetare, por më së shumti si nënë, i bëj thirrje qeverisë të marrë masa urgjente për:

    1- Testimin e të gjithë punonjësve të fasonerive me qëllim evidentimin dhe izolimin e vatrave të përhapjes së virusit;

    2- Të ngrejë një grup pune për të parë nga afër situtën në të gjitha bizneset fasonë e t’i mbyllë për një afat të caktuar në kohë duke u konsultuar ngushtësisht me përfaqësuesit e këtij biznesi për të vendosur së bashku për protokollin e masave për këtë sektor;

    3- Qeveria të mbështesë me pagë minimale të gjithë punonjësit e biznesit fason, jo si lëmoshë, por si e drejtë ekonomike, kushtetuese;

    4- Qeveria të mbështesë me lehtësira fiskale e mbeshtetje financiare biznesin fason, një nga sektorët punëdhënës më të mëdhenj në Shqipëri;

    5- Qeveria të marrë masa urgjente shëndetësore, sociale, ekonomike për të mbrojtur shëndetin e dhjetëra mijëra grave e vajzave që punojnë në këtë sektor.

    Nëse një grua nuk gëzon shëndet të mirë, e gjithë familja është e pashëndetshme, e gjithë shoqëria është e pashëndetshme e në rrezik për jetën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!