Të martën në Tiranë ka pasur përplasje të ashpra në mes të Policisë dhe studentëve protestuesit.

Në protestë janë përfshirë edhe qytetarë, përpos studentëve. Gjatë ditës në rrjete sociale dhe media janë publikuar shumë video nga protestat.

Një e tillë është kur shihet një protestues pa ndjenja dhe me këmbë të thyer, teksa shoqërohet nga punonjësit e Policisë shqiptare pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

Reklamë

Shefi i komisariatit numër 1 dhe katër policë pezullohen nga puna

Në lidhje me videon, Policia shqiptare ka njoftuar se behet fjalë për një 19-vjeçar, i identifikuar me inicialet L. B..

Policia e Shtetit thotë se ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën e trajtimit të tij nga punonjësit e Policisë.

Pavarësisht verifikimeve të nisura, “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, “me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, është ngritur një grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës. Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi”, vijon tutje njoftimi.

Reklamë

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.

Kaosi në Tiranë

Mbi tetë orë protesta, përplasje të dhunshme me policinë, gaz lotsjellës, ujë me presion dhe dëmtime të ndërtesave publike kanë shënuar protestën e studentëve në Tiranë.

Sipas raportimeve të mediave shqiptare, të paktën 23 persona janë arrestuar gjatë incidenteve, ndërsa disa pjesëtarë të policisë dhe dy gazetare kanë mbetur të lënduara.

Reklamë

Protesta nisi të martën përpara Ministrisë së Arsimit, por tensionet u përshkallëzuan shpejt, duke u shtrirë më vonë edhe në zona të tjera të kryeqytetit shqiptar.