Parlamenti ka miratuar me 89 vota pro, 3 abstenim dhe 17 kundër aktin normativ special, të njohur si ‘Anti- KÇK”.
Ligji në fjalë, fort i debatuar në kampin politik si dhe në media, do të qëndrojë në fuqi për një vit (31 dhjetor 2020) dhe i jep të drejta shtesë policisë së shtetit në goditjen e botës së krimit të organizuar.
Paketa Anti-KÇK u kritikua për faktin se do të duplonte punën e SPAK në goditjen e rasteve të krimit të organizuar. Një tjetër aspekt i kritikuar ka qenë fakti se tashmë drejtori i Policisë së Shtetit kthehet në një figurë me më shumë pushtet pasi merr atribute njëlloj si ato të një prokurori apo gjykatësi.
Akti normativ “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike” shenjëstron më së shumti një aspekt të ‘anti-KÇK’, për të cilin ka folur kryeministri Rama, teksa ndryshimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (kujtojmë se termi KCK u përdor nga Rama për të sulmuar pikërisht sipas tij gjyqtarët e korruptuar) shkojnë për të goditur rastet korruptive në drejtësi.