Një denoncim i vajzës së një pacienteje tek Shefqet Ndroqi, të shtruar me koronavirus u publikua sot nga emisioni Stop. Vajza ka treguar se nëna e saj 55-vjeçare kishte 28 ditë e shtruar në spital, prej fundit të nëntorit. Familja mori një mjek privat dhe oksigjen, por 55-vjeçarja pati hemorragji nga hundët dhe u dërgua në spital. Vajzës së pacientes iu shfaq një person i prezantuar si infermiere, po ajo ishte santarja me merin Tire Dervishi. Vajza e pacientes që ndërroi jetë thotë se znj.Dervishi e mashtroi dhe i mori 8 milionë lekë.
Ajo tregon:
“Sanitarja mu shfaq te dera dhe më tha jam infermierja, Tira Dervishi. Më jep numrin e telefonit dhe më thotë të mbajmë kontakte. Më tha situata është e rëndë dhe ka ngarkesë ndaj na duhen lekë që t’i rrimë te koka. 50 mijë lekë për infermierin, 50 për Tire Dervishin, 20 mijë lëke sanitarja, 100 mijë lekë mjekja dhe 50 mijë lekë një mjeke tjetër. Shpeshherë lija punën që të bëja pagesën në kohë, më ishte kthyer në detyrim. Shuma që ka marrë Tirja është mbi 8 milionë lekë të vjetra. Unë fusja ushqime dhe ujë vetë, pampersat, insulinat dhe termometër”.
Biseda nga telefoni:
Tire Dervishi: Atë 70 mijë lekshin për çfarë ma dhe për ditën apo për natën?
Vajza e pacientes: Për ty…
Tire Dervishi: Po për ditën apo për natën?
Vajza e pacientes: Qëpar dhashë 50 për Fatjonin dhe Pastruesen, ato 70 janë për ty.
Tire Dervishi: Për mua janë pak për sonte 70 mijë lekë…
Vajza e pacientes: Më thuaj sa do dhe t’i jap, vetëm mi rri mamasë afër aman.
Tire Dervishi: Të gjithë mjekët janë aty
Vajza: Aman o Tire mos u largo, po më plas shpirti
Tirja: Nuk e di se çfarë barre kam, jam këtu te mami
Vajza: Jepu mjekëve dhe infermiervë sa të duan, vetëm mamin ta kem mirë.
Pas publikimit të rastit, ministria e Shëndetësisë ka reaguar, duke dënuar veprimin e paligjshëm dhe korruptiv të sanitares së spitalit “Shefqet Ndroqi”. Ministria ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të saj dhe u kërkon autoriteteve të kryejnë sa më parë hetimin e këtij rasti, për t’i shkuar deri në fund.
Reagimi i plotë:
U denoncua për korrupsion, Ministria e Shëndetësisë dënon me forcë aktin: Shkarkim i menjëhershëm për sanitaren e COVID2
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon me forcë veprimin e paligjshëm dhe korruptiv, të sanitares me inicialet T.A., t? spitalit “Shefqet Ndroqi”, i bërë publik sot në emisionin investigativ “STOP”.
Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar drejtorisë së spitalit “Shefqet Ndroqi” shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të sanitares me inicialet T.A.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon autoriteteve kompetente, të kryejnë sa më parë hetimin e këtij rasti, për ta çuar atë deri në fund.
Akti i izoluar i një punonjëseje të papërgjegjshme, nuk mundet kurrësesi të njollosë punën e jashtëzakonshme dhe sakrificën e mijëra mjekëve dhe infermierëve në të gjithë Shqipërinë, në këtë kohë të vështirë të pandemisë.
MSHMS falënderon emisionin investigativ “STOP” për denoncimin e rastit në fjalë dhe siguron qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast abuzimi me të drejtën e tyre për të marrë shërbimin shëndetësor që u takon.