Shqipëria do të vazhdojë me projektin e një resorti luksoz të planifikuar nga dhëndri i Donald Trumpit, Jared Kushner, pavarësisht protestave të vazhdueshme për ndikimin e tij në mjedis, ka deklaruar kryeministri Edi Rama për Reuters.

Ai ka thënë se është votuar për të bërë gjëra të tilla, përcjell Reporteri.net.

“Unë jam votuar që t’i bëj këto gjëra të ndodhin. Nuk jam votuar që të udhëhiqem nga njerëz që kanë një ide tjetër për mënyrën se si duhet të zhvillohet vendi”, ka deklaruar Rama.

Reklamë

Mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e kryeqytetit Tiranë dhe në bregdetin jugor, ku është propozuar ndërtimi i resortit, duke kërkuar që projekti të anulohet për shkak të ndikimit që mund të ketë mbi një lagunë të mbrojtur, e cila është habitat i flamingove.

Flamingoja është shndërruar në simbolin e kësaj lëvizjeje: protestuesit mbajnë flamingo rozë të fryra dhe pankarta me mbishkrimin “Revolucioni i Flamingos”.

Rama nuk është lëkundur nga këto protesta. Ai ka deklaruar se zhvilluesit e projektit do t’i “mahnitin” vëzhguesit me planet e tyre në muajt e ardhshëm dhe se disa pjesë të resortit mund të hapen për publikun përpara përfundimit të kësaj dekade.

“Po ju them, do të jetë një projekt i bukur dhe ne do ta realizojmë atë, dhe do të jemi krenarë që kontribuojmë për Evropën”.

Zhvillimi i resortit që ai mbështet është ideja e Jared Kushner dhe bashkëshortes së tij, Ivanka Trump, të cilët kanë treguar se u dashuruan me Shqipërinë disa vite më parë gjatë një vizite me jaht. Rama i takoi ata gjatë atij udhëtimi dhe i konsideroi si “njerëz shumë të mirë, modestë”

Reklamë

Tani, firma e investimeve Affinity Partners e Kushnerit është e përfshirë në projektin prej 1.4 miliardë eurosh pranë zonës së mbrojtur Vjosa-Narta, si edhe në një tjetër projekt në Ishullin e Sazanit.

Së bashku, këto projekte kapin një vlerë deri në 5 miliardë euro, sipas Ramës.

“Është një ëndërr e madhe dhe ëndrrat e mëdha gjithmonë janë përballur me polemika” tha ai.

Affinity Partners dhe Kushner nuk kanë iu përgjigjur kërkesave për koment. Kompania Sazan Real Estate Development LLC, e cila po zhvillon planet, i ka thënë Reuters se do ta bëjë këtë në mënyrë të përgjegjshme.

Reklamë

Rama ka minimizuar shqetësimet mjedisore. Ai tha se vlerësimi i ndikimit në mjedis ende nuk është kryer, por se ai do të realizohet paralelisht me zhvillimin e projektit.

“Ne jemi shumë krenarë për atë që kemi bërë për faunën e egër në Shqipëri. Komisioni Evropian nuk ka asnjë arsye të dyshojë në vullnetin tonë të palëkundur për të mbrojtur gjithçka që duhet të mbrohet kur bëhet fjalë për jetën e egër dhe natyrën”, ka deklaruar Rama./Reporteri.net