×
  • Lajme
  • Shqipëria

    PD reagon për shkrimin e ‘mistershëm’ të BILD kundër Bashës

    Reporteri
    20 Janar 2020 | 15:37

    Partia Demokratike ka reaguar për herë të parë në lidhje me shkrimin e BILD, i cili targetoi liderin e PD-së Lulzim Basha dhe disa orë pas publikimit, u fshi nga faqja e mediumit më të njohur gjerman.


    Përmes një deklarate për shtyp, ish deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj ka sulmuar kryeministrin Rama, duke i kujtuar foton e dikurshme me ish- Presidentin Barack Obama dhe faktin se dy prej personave që arritën t’ja prokuronin Ramës një foto me Obamën, janë tashmë në burg në SHBA.

    E teksa Alibeaj sulmonte PD-në, në hyrje të deklaratës jepet një reagim indirekt në lidhje me publikimin e djeshëm të BILD, i cili u fshi këtë të hënë nga portali gjerman. PD shkruan se “Rama dështoi me shqiptarët që e kanë bërë personazh mallkimesh e barcaletash, dështoi me mediat ndërkombëtare prestigjoze”.

    Pjesa e fundit e këtij mesazhi të nënkuptuar lë të hapur mundësinë për të interpretuar se PD-ja e konsideron shkrimin e djeshëm kundër Bashës si një orvatje të kryeministrit për ta sulmuar sërish për dosjen e ‘lobimit rus’, një çështje që pak ditë më parë u pushua nga gjykata e Tiranës.

    Deklarata e Enkelejd Alibeajt

    Edi Rama po dështon në strategjinë për të akuzuar opozitën për punët e pista që bën vetë.

    Dështoi me prokurorinë që e mbajti nën kontroll 2 vjet për një akuzë qesharake dhe të gënjeshtërt për të sulmuar Partinë Demokratike dhe liderin e opozitës.

    Dështoi me shqiptarët që e kanë bërë personazh mallkimesh dhe barcaletash, dështoi me mediat ndërkombëtare prestigjioze.

    Të gjithë këta, shqiptarët, media dhe prokuroria politike e dinë për fakt të vërtetë, të provuar nga drejtësia amerikane, se fotoja e Edi Ramës me Barack Obamën është kryer përmes një kontributi të paligjshëm prej 80 mijë dollarësh.

    Të gjithë e dinë së për atë foto, Edi Rama u paraqit si gruaja e shtetasti amerikan Bilal Shehu, i cili sot është i dënuar nga drejtësia amerikane, bashkë me shtetasin tjetër amerikan Ëilliam Argeros, për përdorimin e fondeve të huaja në zgjedhjet amerikane.

    Tre persona janë përgjegjës për foton e Edi Ramës me Barack Obamën, e cila u krye nëpërmjet një kontributi të paligjshëm prej 80 mijë dollarësh:

    Bilal Shehu
    William Argeros
    Edi Rama

    Dy prej tyre janë tashmë të dënuar nga drejtësia Amerikane. I treti, Edi Rama, vijon të jetë mbi ligjin.

    Sot, ironia për ta paraqitur Edi Ramën si “gruaja e Bilalit”, nuk mjafton.

    Ne jemi këtu për të theksuar se pas dënimit të dy bashkëpunëtorëve të tij, Bilali dhe Argeros, i takon Edi Ramës të merret si i pandehur, sepse shuma prej 80 mijë dollarësh, vjen nga një burim i paligjshëm dhe nuk është deklaruar as nga Edi Rama, as nga Partia Socialiste e Shqipërisë.

    Qytetarët presin që drejtësia shqiptare të jetë e paanshme.

    Për të nxjerrë të vërtetën e financimit të paligjshëm të fotos 80 mijë dollarëshe të Edi Ramës, sot kërkohet standardi i drejtësisë amerikane.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!