×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Përplasja Rama-Meta për Gent Cakajn, Gjykata Kushtetuese merr këtë vendim

    Reporteri
    25 Maj 2021 | 17:50

    Gjykata Kushtetuese ka marrë sot vendimin për përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta, lidhur me mos-dekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm nga ana e Kreut të Shtetit.


    Kushtetuesja ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën, ndërsa ka pushuar gjykimin për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

    Në vendim, Gjykata thekson se kompetencat për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve, Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit.

    NJOFTIMI I PLOTE:

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 18.05.2021, çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi i nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
    Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, njëzëri,
    VENDOSI:
    – Pranimin e pjesshëm të kërkesës.

    – Pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
    – Interpretimin përfundimtar të nenit 98 të Kushtetutës, për sa vijon:
    – Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
    – Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve të mësipërme.
    – Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantoje përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion.
    – Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi.

    Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. /Balkan Web/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!