×
  • Lajme
  • -->
    Shqipëria

    Pezullohet gjoba 110 milionë euro ndaj Shqipërisë, arbitrazhi rihap gjyqin me Becchettin

    Reporteri
    31 Gusht 2019 | 17:05

    Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit në Uashington pezulloi ekzekutimin e gjobës 110 milionë euro kundër Shqipërisë për konfliktin me biznesmenin italian, Francesco Bechetti, pasi çështja mund të rishqyrtohet. Pezullimin provizor i gjobës ka ardhur pas ankesës së Qeverisë shqiptare ndaj vendimit, që ndëshkoi Shqipërinë me gjobën më të madhe në historinë e shtetit shqiptar.


    Në 24 prill, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit për konfliktet e investimeve, e njohur ndryshe si ICSID, e gjobiti Shqipërinë me 110 milionë euro për konfliktin me biznesmenin italian, Francesco Beccheti. Por edhe pse vendimi është i formës së prerë, Gjykata e cila është pjesë e bankës botërore, lejon ankimimin kur plotësohen disa kushte të caktuara. Ky është mekanizmi që ka shfrytëzuar Qeveria shqiptare për të kërkuar anulimin e vendimit dhe shfuqizimin e gjobës.

    Kërkesa e Avokaturës së Shtetit për anulimin e gjobës është pranuar nga Gjykata në datën 27 gusht dhe menjëherë Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Gjykate ka njoftuar të dy palët e përfshira në konflikt, si Qeverinë shqiptare ashtu dhe biznesmenin Becchetti, për pezullimin e përkohëshëm të ekzekutimit të gjobës.

    Sipas njoftimit të publikuar nga gjykata, rezulton se qeveria shqiptare ka ndryshuar dhe studion ligjore që do të bëjë mbrojtjen e Shqipërisë. Nëse në gjyqin e parë Shqipëria u përfaqësua nga 4 avokatë britanike, këtë herë Avokatura e Shtetit ka përzgjedhur Foley Hoag, një studio amerikane nga më të njohurat në botë për mbrojtjen e shteteve në konfliktet gjyqësore.

    Kjo është hera e parë që Shqipërisë i pranohet ankimimi i një vendimi të formës së prerë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për konfliktet e investimeve. Pas këtij hapi, gjykata pritet të ngrejë një komision me tre gjyqtarë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në gjyqin e parë. Dhe është ky komision i cili do të vendosë nëse do ta lërë në fuqi apo ta anulojë gjobën./top channel/

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!