Mjeku infeksonist Pëllumb Pipero shpreh doza skepticizmi për një vaksinë të mundshme anti-Covid brenda vitit. Më shumë sesa për kohën e prodhimit, Pipero thotë se vaksina nuk do të jetë mrekullibërëse, pasi virusi ka shumë të panjohura dhe nuk dihet nëse një vaksinë do të mund ta ndalojë në masë sars- covid2.
Pipero: Ndoshta nga fundi tetorit apo fillimi i nëntorit do të kemi një vaksinë, por askush nga ne nuk duhet të presë një mrekulli nga vaksina. Ende nuk dihet nëse ky virus lë një imunitet të përkohshëm, apo për gjithë jetën.
I ftuar në emisionin e mëngjesit në abcnews, Pipero u shpreh se në Shqipëri duket sikur ka dy realitete. Në njërin jashtë spitaleve, gjithçka është kthyer në normalitet thuajse, ndërsa pamja ndryshon rrënjësisht në brendi të spitaleve, e veçanërisht atyre të dedikuara për Covid. Pipero i ka bërë apel qytetarëve që të jenë më të ndërgjegjshëm për përdorimin e maskës dhe mbajtjen e distancës. Mjeku gjithashtu apeloi për kontrollin e tregut të maskave në Shqipëri.
Pjesë nga biseda në studio:
“Në mjedise të mbyllura duhet domosdoshmërish edhe mbajtja e maskave. Ndoshta nuk mund të mbahet gjatë gjithë kohës por e këshilloj. Situata ka qenë, është dhe do të jetë shqetësuese, por jo për të vendosur alarmin. Shqetësuese, them sepse numrat janë në rritje, rastet në spitale dhe rastet e rënda janë shtuar dhe për fat të keq duket sikur ka dy realitete.
Një realitet jashtë spitalit ku duket sikur nuk ndodh gjë dhe më pas situata në spital që nuk është e lehtë. Secili nga ne duhet të ushtrojë përgjegjësitë e tij. Ky virus na ka rënë të gjithëve, edhe pushtetarët edhe qytetarët duhet të të tregohen të ndërgjegjshëm.
Institucionet duke filluar nga spitale duhet të tregojnë përgjegjësitë e tyre. Po ashtu të merren masa në raport me maskën. Ka ardhur koha që të kontrollojmë tregun e maskave apo edhe çmimin e tyre. Dhe jo çdo lloj maske duhet vendosur në fytyre sepse ka një rol të rëndësishëm edhe për thithjen e oksigjenit. Duhet t’i dëgjojnë këshillat për të vendosur maskën dhe jo për ta mbajtur si stoli. Rruga kryesore e transmetimit është respiratore pra hunda, dhe në shumicën e rasteve e mbajmë zbuluar.
Maska e thjeshtë kirurgjikale mund të përdoret deri në katër orë dhe më pas duhet ta ndërrosh. Maska ka një protokoll si vendoset dhe se si hiqet, duhet të kemi kujdes sepse pjesën e jashtme nuk duhet ta prekim ose nëse e prekim duhet ta heqim dhe duart të lahen. Të gjithë kemi përgjegjësitë tona pa përjashtim.
Ky virus vijon të ketë shumë të panjohura, merret me rrugë respiratore, por nuk po sillet si i tillë. Ende mund të kemi shumë të papritura, ka një problem tjetër po kaq madhor. Në fund të vjeshtës dhe dimrit fillojnë viruset stinore që janë po kaq të rrezikshme. Duhet të mundësojmë së paku parandalimin e dëmeve, për fat të mirë për to kemi vaksinë, por në këtë situatë secili nga ne ka detyrë të mundësojë kufizimin për përhapjen e pandemisë. Maskat duhet të plotësojnë disa standarde të cilat i kontrollojnë institucionet.
Së pari duhet të parandalojë thithjen dhe përhapjen e spërklave, por duhet të mundësojë thithjen oksigjenit. Ne duhet të oksigjenohemi.
Të gjithë ne specialistët kemi thënë ato që ishin evidentuar për momentin dhe kemi hedhur hipoteza se si mund të jetë më tej. Pothuajse në të gjitha vendet e botës ka luhatje. Përgjithësisht mbyllja ishte zgjedhje, por jo zgjidhje.
Edhe pse në deklarimet tona sot mund të jemi shuam larg atyre që kemi thënë dinamika e kësaj pandemie është e ndryshueshme. Ende ne vazhdojmë të jemi përpara të panjohurave në raport me virusin. Shumë studime më shumë kanë qenë evidenca se studime. Për viruset bota deri më sot ka shumë pak zgjidhje. Por kjo nuk do të thotë se meqë dje e thamë ndryshe të mos reflektojmë. Duhet të ushtrojmë të njëjtën përgjegjësi që së bashku të zvogëlojmë dëmin”, tha Pipero.
Sa i kemi kapacitet për të përballuar edhe fluksin e personave që preken nga viruset stinore?
Pipero: Kapacitete përballuese spitalet shqiptare kanë. Numri mund të vijë duke u shtuar edhe për shkak të gripit stinor. Kapacitete kemi dhe mund të shtohen. Nëse për viruset e gripit stinor kemi një vaksinë dhe qeveria duhet të mendojë për moshat e rrezikuara.
Ndoshta nga fundi tetorit apo fillimi i nëntorit do të kemi një vaksinë, por askush nga ne nuk duhet të presë një mrekulli nga vaksina. Ende nuk dihet nëse ky virus lë një imunitet të përkohshëm, apo për gjithë jetën.
Duhet të kalojnë së paku 18-24 muaj që të arrihet raporte afatgjata në lidhje me imunitetin. Besoj që vaksinën do ta kemi në fund të vitit. Kam besim te vaksina, por më shumë besim kam tek ndërgjegjja qytetare.