Policia tha të dielën se zbardhi vrasjen e dy të moshuarve në Bodrishtë të Gjirokastrës, tre ditë më parë, duke arrestuar personin e dyshuar dhe sekuestruar mjetet e dyshuara me të cilat u krye krimi.
Sipas policisë Thoma Mastora, 69 vjeç, banues në Bodrishtë, i dënuar më parë për vjedhje, akuzohet “për vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “mbajtje pa leje të armëve shpërthyese dhe municionit”.
Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa tha se 69-vjeçarit, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale sendi i dyshuar i krimit, një sasi municioni luftarak, një mjet prerës dhe prova të tjera që janë dërguar për egzaminim në Institutin e Policisë Shkencore.
Ende nuk është i qartë motivi i vrasjes pasi në banesën e të moshuarve policia gjeti të paprekura rreth 5 milionë lekë dhe nuk konstatoi shenja të vjedhjes.
Dy të moshuarit Kosta e Kleoniqi Ilia, 80 dhe 84 vjeç u gjetën të pajetë nga fqinjët në banesë mëngjesin e së enjtes me shenja të forta dhune në trup dhe në kokë.
Shumë zona në Jug të Shqipërisë banohen vetëm nga të moshuar, pasi fëmijët e tyre kanë emigruar jashtë vendit dhe krimi i rëndë ngjalli reagime të forta në opinion. /VOA
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.