Shpërndante kokainë, arrestohet 40-vjeçari në Durrës. Sipas Policisë, në pranga ka përfunduar A. H., banor i qytetit bregdetar, i cili akuzohet për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Pas një hetimi dhe vëzhgimi disamujor, agjentët e Antidrogës zbuluan aktivitetin kriminal të 40- vjeçarit, ndërsa siguruan me anë të metodave speciale të hetimit edhe prova të veprimtarisë të paligjshme.
Ai u mbajt nën përgjim telefonik për rreth gjashtë javë, ndërkohë që ai ushtronte aktivitetin e tij duke shpërndarë në doza të vogla lëndë narkotike kokainë. Kokainën 40- vjeçari e shiste tek individë që ia kërkonin në telefon, si dhe frekuentonte lokale nate, ku lënda narkotike kërkohet masivisht. Gjatë muajve të fundit, ai frekuentonte lokalet që ndodhen përgjatë vijës bregdetare, ku shtetasit kosovarë dhe maqedonas ishin kthyer në klientët e tij më të mirë, përcjell panorama.
Teksa u siguruan për aktivitetin kriminal të 40- vjeçarit, Policia organizoi edhe aksionin për arrestimin e tij. “Finalizohet me sukses një tjetër operacion policor antidrogë, i koduar ‘Sukthi’, për goditjen e shpërndarjes së drogave të forta. Vihet në pranga një 40- vjeçar, i cili shpërndante lëndë narkotike kokainë në doza të vogla.
Sekuestrohen 18.5 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, si dhe një peshore elektronike. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në bashkëpunim me forcat e posaçme ‘Shqiponja’ finalizuan me sukses operacionin policor të koduar ‘Sukthi’, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A. H., 40 vjeç, banues në Durrës”, tha Policia.
Arrestimi i tij u bë pasi, në bazë të informacioneve në rrugë operative, ky shtetas merrej me aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kokainë, në vendin e quajtur Mbikalimi i Sukthit, Durrës. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë dhe kanë bllokuar automjetin me të cilin qarkullonte shtetasi i dyshuar. Nga kontrolli i ushtruar në automjetin e tij u gjetën rreth 18.5 gr lëndë narkotike e dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij u gjet dhe u sekuestrua një peshore elektronike. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në ngarkim të shtetasit të mësipërm për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.