×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Prej ditësh në gjendje të rëndë, zbulohet sëmundja nga e cila vuan ish-kryeministri Fatos Nano

    Reporteri
    31 Gusht 2023 | 18:26

    Ish-kryeministri shqiptar, Fatos Nano, prej ditësh ndodhet në spital ku po lufton për jetën.

    Siç raporton Top Channel, lideri i Partisë Socialiste ndodhet në reanimacion, pasi vuan nga një sëmundje Pulmonare Obstruktive Kronike e quajtur ndryshe si SPOK.

    Kjo është një sëmundje (patologji) që prek mushkëritë dhe mund të parandalohet. Karakterizohet nga një ngushtim (obstruksion) i parikthyeshëm ose pjesërisht i rikthyeshëm i rrugëve ajrore.

    Ky obstruksion zakonisht është progresiv dhe shoqërohet me një përgjigje inflamatore jo normale kronike të mushkërive kundrejt grimcave të pluhurit dhe/ose gazeve si psh: monoksidi i karbonit prezent në tymin e duhanit dhe dioksodi i karbonit që gjendet në ajrin e ndotur të ambientit që na rrethon.

    Në Shqipëri kjo patologji nuk njihet mirë dhe si rrjedhojë ngelet e padiagnostikuar por studimet tregojnë që vendi ynë ka një prevalencë të lartë të SPOK-ut, duke prekur përafërsisht 5-6% të popullatës.

    Cilët janë shkaktarët e kësaj sëmundje?

    Duhanpirja është shkaku kryesor dhe më i zakonshëm. Njihen edhe faktorë të tjerë ndër të cilët përmenden: ndotja e ambientit, defiçitet e α1-antitripsinës, mosha, dieta ushqimore dhe aktiviteti i pakët fizik.

    Më heret sot, kryeministri Edi Rama dekoroi me Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike Fatos Nanon. Nëpërmjet një statusi të postuar në rrjetin social “Facebook”, Rama vlerësoi kontributin e ish-kryeministrit Nano për vendin dhe shoqërinë “gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme”. Për pak javë, më 16 shtator, ish-kryeministri Fatos Nano feston 71 vjetorin e lindjes. /TCH

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!