Nga data 23 deri më 25 qershor 2025, në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian INSIST-VAT (Sistem i Integruar dhe i Qëndrueshëm i Trajnimit për Arsimin Profesional Bujqësor), do të zhvillohet takimi i parë i Komitetit Drejtues në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT).
Me këtë rast, më 25 qershor do të organizohet një seminar në nivel të lartë me temën: “Sfidat e reja për bujqësinë – nevoja të reja për njohuri”, ku do të trajtohen zhvillimet bashkëkohore dhe kërkesat në rritje për trajnime dhe sisteme të integruara të këshillimit në bujqësi.
Ky projekt ambicioz, i bashkëfinancuar nga programi Erasmus+ i BE-së, synon të forcojë arsimin profesional bujqësor, të nxisë inovacionin rural dhe të përmirësojë sistemet e transferimit të njohurive në Shqipëri. Qëllimi kryesor i projektit është krijimi deri në vitin 2027 i një Qendre Kombëtare të Trajnimit në UBT, e cila do të shërbejë si bërthamë e Sistemit të Njohurive dhe Inovacionit në Bujqësi (AKIS) në vend.
Kjo qendër do të:
– Modernizojë shërbimin e këshillimit në bujqësore;
– Ofrojë trajnime të përshtatura për fermerë, këshilltarë dhe profesionistë institucionalë;
– Promovojë një bujqësi të qëndrueshme, të përshtatur ndaj ndryshimeve klimatike dhe në përputhje me tendencat evropiane.
Takimi i Komitetit Drejtues do të mbledhë partnerët e projektit për të shqyrtuar progresin, për të rënë dakord mbi objektivat afatmesëm dhe për të mundësuar shkëmbimin e mendimeve me aktorët kombëtarë dhe rajonalë të sektorit. Një vizitë në Qendrën për Transferimin e Teknologjisë Bujqësore në Fushë-Krujë do t’i ofrojë pjesëmarrësve një përvojë të drejtpërdrejtë mbi inovacionin në praktikë.
I udhëhequr nga një konsorcium i institucioneve të arsimit dhe kërkimit në bujqësi nga Evropa dhe rajoni, projekti INSIST-VAT i përgjigjet drejtpërdrejt Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin Rural dhe Peshkimin 2021–2027, e shpallur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Strategjia e përmendur thekson rëndësinë e fuqizimit të kapaciteteve të prodhuesve përmes trajnimeve cilësore dhe qasjeve të përqendruara në njohuri.
Qendra e re pranë UBT-së do të jetë një pikë referimi kombëtare për zhvillimin profesional dhe inovacionin, duke përmbushur standardet evropiane të cilësisë dhe duke garantuar qëndrueshmëri afatgjatë të shërbimeve trajnimi dhe shkëmbimit të njohurive.
Prof. Asoc. Dr. Fatbardh Sallaku, Rektor i UBT-së, thekson: “Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi të integruar njohurish bujqësore që mbështet fermerët shqiptarë. Duke e përshtatur trajnimin me nevojat vendore dhe duke forcuar bashkëpunimin rajonal, po investojmë në një të ardhme më të sigurt dhe më konkurruese për bujqësinë shqiptare.”
Christophe Mur, Koordinator i Projektit nga CIHEAM Montpellier, shton: “INSIST-VAT nuk ka për qëllim vetëm trajnimin – ai synon krijimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të njohurive që u jep mundësi aktorëve shqiptarë dhe atyre në Kosovë të udhëheqin transformimin e plotë të sektorit bujqësor.”
Partnerët e projektit INSIST-VAT përfshijnë:
-CIHEAM Montpellier (koordinator),
– CIHEAM Zaragoza,
– ACTA (Francë),
– QUARES (Belgjikë),
– Universitetin e Prishtinës,
– Universitetin Bujqësor të Tiranës,
– Qendrat për Transferimin e Teknologjisë Bujqësore në Korçë dhe Fushë-Krujë.
Projekti është bashkëfinancuar nga programi Erasmus+ i BE-së për ndërtimin e kapaciteteve në fushën e Arsimit dhe Formimit Profesional (VET), me një buxhet prej 395,674 €, dhe do të zgjasë deri në dhjetor 2027.