Ndarja e plazheve, që u bë shkak për katër viktima në Velipojë, nxori në një konferencë për mediat kryeministrin Rama.
Ai tha se subjektet private janë hasur vështirësi në aplikimin online pasi nuk e kanë kuptuar mirë procesin, por nga ana tjetër ai bëri përgjegjëse edhe bashkitë.
Rama paralajmëroi operatorët privatë ti qëndrojnë strikt këtij procesi dhe të mos nisën operimin në kokën e tyre nëse nuk janë në rregull me dokumentacionin.
Për të garantuar këtë ai tha se policia do të jetë gjatë gjithë vijës bregdetare dhe do të konfiskojë çdo çadër, shezllon apo strukturë që është vendosur në mënyrë të paligjshme.
Rama: Hasën vështirësi për shkak se jo të gjitha subjektet private duan ta kuptojnë si funksionon ky proces. Në ndonjë rast edhe vetë ndonjë bashki e caktuar nuk ka kuptuar procesin ose nuk do të kuptojë procesin duke krijuar konfuzion dhe duke krijuar premisa për konflikt. Një gjë është e padiskutueshme, se ajo çka është përcaktuar si kornizë e këtij procesi do të zbatohet me hir ose me pahir.
Dua ti bëj thirrje sot të gjitha atyre subjekteve që nuk janë në rregull me dokumentacionin dhe që kanë operuar me teorinë e faktit të kryer që të largohen nga sipërfaqet që nuk ju takojnë me ligj dhe me rregull. Policia e shtetit do të jetë e pranishme në të gjithë vijën bregdetare dhe do të konfiskojë në vend çdo lloj çadre, shezlloni apo strukture ndihmëse që nuk është e përputhur me bazën dokumentare të subjetit. Plazhet janë të popullit, të qytetarëve.
Janë edhe të tyre si përgjegjësi aty ku kjo përgjegjësi u është njohur ligjërisht. Është shumë e qartë dhe nga pikëpamja financiare që kjo skemë e re e hapësirës së administrimit të plazheve ka krijuar më shumë të ardhura për sektorin publik, institucionet publike, në këtë rast bashkitë dhe më shumë hapësira për qytetarët që nuk duan të jenë pjesë e hapësirave ku plazhi administrohet nga privatët.
Besoj që përtej disa rasteve që janë bërë publike por edhe disa rasteve të tjera që nuk janë bërë publike por janë problematike besoj se në terësi baza është pozitive. Në ditët në vijim kjo bazë duhet konsoliduar në mënyrë që piku i sezonit, korriku dhe gushti të jenë të garantuara në këtë aspekt.
Edhe njëherë e përsëris që subjektet që nuk janë aty ku janë vendosur me teorinë e faktit të kryer duhet të largohen vetë dhe të mos humbasin dhe atë bazë materiale që kanë siguruar për aktivitetin e tyre sepse do tu merret dhe nuk do tu kthehet më mbrapsht si mjet ozurpimi i paligjshëm i hapësirës që nuk është e tyre por është e popullit shqiptar, e publikut, e qytetarëve.