Kryeminsitri Edi Rama, me anë të një videomesazh drejtuar qytetarëve, lajmëroi nisjen e masave ekstreme për vetëkarantinimin e qytetarëve.
Masat më të ashpra janë për personat që kanë ardhur nga jashtë vendit 14 ditët e fundit.
Sipas Kryeministrit, personat që kanë hyrë në vend nga Italia apo Greqia 14 ditët e fundit, duhet të vetëkarantinohen urgjentisht. Në të kundërt, Rama tha se nëse këta persona do të kapen në rrugë duke lëvizur do të gjobiten me 5 mijë euro gjobë, deri në heqjen e të drejtës për të udhëtuar jashtë vendit pa paguar gjobën,
“Të ndjekin informacionet zyrtare. Zbatoni këshillat e autoriteteve shëndetësore, sa më të disiplinuar të jemi sot, aq më pak telashe do kemi ne. Nuk jemi thirrur të marrim armët, por të vetërrethohemi për disa javë me muret e izolimit. Ata që janë kthyer 14 ditët e fundit nga Italia apo Greqia të vetizolohen. Sot do të dalë në rrugë një formacion i përbashkët i Policisë së Shtetit dhe Policisë Ushtarake dhe do të organizojnë postblloqe të automjeteve. Do të verifikojnë nëse ka persona që kanë ardhur 14 ditët e fundit nga jashtë. Nga nesër kush kapet në rrugë do të dënohet me 5 mijë euro gjobë nëse kapet në rrugë. Mandje do t`i ndalohet të iki në Itali pa paguar gjobën”, ka deklaruar ai, transmeton oranews.
Rama shtoi gjithashtu bëri apel edhe për qytetarët e tjerë, që nëse nuk kanë arsye për të dalë nga shtëpia të dalin.
“Nuk e krijon rreziku frikën, por frika rrezikun. Prandaj të mos i frikem kur mendoj se kam arsye dhe kam të drejtë. Me koronën e mësova me pahir qëkur u shfaq në Kinë, ndryshimi është se frikën nga humnera apo nga zjarri jemi mësuar ta quajmë kujdes nga një rrezik real. Na duhet ta pranojmë se një gjallesë e padukshme përpara së cilës një mushkonjë mundet të na ndalojë të jetojmë siç jemi mësuar. Të përqafohemi, të shkojmë në shkollë, apo në pikat e Internetit. Si mundet ne ti frikemi ne një grimce dhe t`i harrojmë kreshnikët e maleve dhe trimat e luftrave prej të cilëve ne rrjedhim. Korona nuk bën shaka. E vërtetë që nuk ua prish gjumin e atyre që i prek, por ama ata 20% i prek dhe i kërcënon. Korona zbrapset vetëm me disiplinë dhe solidaritet. Të gjithë ata që nuk janë të detyruar të dalin nga shtëpia duhet të rrijnë në shtëpi. Të mbajnë dritaret hapur, t`i mbajnë në dhomë më vete të moshuarit, të shohin sa më pak lajme. Mundësisht ato emisionet e mbrëmjes që sot janë vatra të kuqe infodemie”, tha ai.
Rama tha se kjo nuk është kohë normale, ndaj qeveria është e detyruar të marrë këtë masë ndaj një kërcënim si koronavirusi. Kryeministri bëri një krahasim me tërmetin e 26 nëntorit, duke u shprehur nëse ai erdhi paparalajmëruar, koronavirusi po na lajmëron çdo ditë.
“Kjo nuk është kohë normale me një armik që nuk duket por është rreth secilit prej nesh. Faleminderit shumë me gjithë zemër të gjithë atyre që mbyllën diskot, palestrat, klubet e natës. Kjo quhet qytetari dhe solidaritet njerëzor. Kush lëviz me makinë do bezdiset. Por s`kemi asnjë rrugë tjetër. Ta pranojmë së bashku këtë shtrëngim që është shumë më i lehtë se shtrëngimi i koronës. Do ta kalojmë këtë shtrëngim si tërmeti. Nëse tërmeti na mori 51 jetë pa paralajmërim, korona na paralajmëron çdo ditë. Kujdes, kujdes, disiplinë, disiplinë. Vija e parë e frontit është e fortë dhe ka një rezistencë të testuar maksimale. Jemi përgatitur për këtë moment, lëre se ça thonë masakt e skaduara të politikës. Nuk do bëjmë as më pak e as më shumë se vendet e tjera”, deklaroi Rama.