Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në parlament, tha se paketa anti-shpifje do të miratohet sot, duke hedhur akuza ndaj gazetarëve që protestonin jashtë, por duke thumbuar edhe presidentin Ilir Meta.
Rama tha se personalisht nuk merret me AMA, por se do të shkoj në gjykatë.
“Nuk ka ligj të përsosur. Çdo ligj është i përmirësueshëm por nuk mund ta shtyjmë në pafundësi në kërkim të perfeksionit.
Ky ligj do të miratohet sot si një e drejtë që do të mbrohet nga llumi i shpifjes dhe ne do vazhdojmë punën për aspektet proceduriale rregullatore siç kemi rënë dakord dhe nga fjalia e parë tek fjalia e fundit ligji është 100% i përputhur me standardet ndërkombëtare. Nuk jua them unë por jua them të konfirmuar 100% me shkrim nga institucioni I përcaktuar për të ndjekur këtë proces, që është OSBE.
Që ta dini sot unë personalisht nuk merrem me AMA. Unë me këta do shkoj në gjykatë. Janë bërë nja 60 çështje. Mund të shkojnë 600 apo 6 mijë, varet sa do rrijë këtu. Këta ose do të vijnë të provojnë në gjykatë që ata që thonë janë të vërteta. Dhe nëse njëri do dalë që do ta provojë unë do iki që këtu ose këta do të dënohen në gjykatë si fajtorë për përhapjen e shpifjeve. Duke qenë se pas tërmetit kam hapur librat e shenjtë për ti ndarë dhe me ju nuk po ju them çfarë thonë ata, për shpifjen e shpifësit por po ju siguroj se ata që thotë Kurani janë shumë herë më të rënda se ata që mund të them unë në ditën kur mund të jem më I angazhuar se kurrë kundër tyre.
Nga sot të gjithë shqiptarët do ta dinë që kanë në dispozicion një instrument që do ta vënë në punë pas vitit të ri se presidenti do na e kthejë para vitit të ri”, tha Rama.