Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria shqiptare po punon për një paketë masash ndaj akteve të shkatërrimit gjatë protestave, duke paralajmëruar se personat përgjegjës do të duhet të përballen me pasojat.

Gjatë një paraqitjeje mëngjesin e sotëm, Rama u shpreh se është i gatshëm të komunikojë me këdo që dëshiron të përcjellë shqetësimet e tij te qeveria, duke theksuar se dialogu mbetet i hapur dhe pa kushte.

“Në çdo rast dhe për çfarëdo arsye që kërkohet komunikim me mua apo me qeverinë, ne jemi aty dhe jemi gati. Unë përcjell çdo mesazh që më vjen te ministrat. Jo më pastaj të dëgjoj ata që kanë nevojë të më thonë atë që mendojnë. Le të hapim këtë diskutim, jam i gatshëm pa kushte të dëgjoj këdo dhe kudo”, deklaroi Rama.

Reklamë

Megjithatë, kryeministri theksoi se përdorimi i dhunës dhe shkatërrimi i pronës nuk mund të justifikohen, duke paralajmëruar përgjegjësi ligjore për personat që përfshihen në akte të tilla.

“Por me këtë nuk ka shans, kur përdor këtë, mundësitë i ka dy, ose të shpëtojë falës maskës ose këmbëve të shpejta, ose të përgjigjet para ligjit. Po punojmë për një paketë masash, kush shkatërron duhet të paguajë”, u shpreh kreu i qeverisë.

ama deklaroi se protesta po shfrytëzohet nga grupe të organizuara për të sulmuar policinë.

Sipas tij, shqetësimet e qytetarëve për koston e jetesës dhe strehimin janë reale, por këto po përdoren për të krijuar një realitet të shtrembëruar dhe për të nxitur përplasjet.

“Ky është një sulm që kryhet, që orkestrohet nga duar të stërvitura për këto punë, që ushqehet si benzinë me zjarr të brendshëm, nga aktorë të huaj. Dhe ku u projektohet qytetarëve një realitet i kombinuar, hibrid. Është një luftë hibride, funksionon deri në këtë masë, sepse bazohet në shqetësimet reale. Janë reale shqetësimet për koston e jetesës, për strehimin, për të pasur më shumë etj.”, deklaroi Rama.

Reklamë

Kryeministri u ndal edhe te bilanci i të lënduarve gjatë protestave, duke thënë se rreth 200 efektivë policie kanë mbetur të lënduar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital. Ndërsa nga ana e protestuesve, sipas tij, janë rreth 80 të lënduar.

Rama tha se më pak se gjysma e protestuesve të lënduar janë studentë, ndërsa pjesa tjetër, sipas tij, u përket grupeve të të rinjve të maskuar që kanë marrë pjesë në sulmet ndaj policisë.

“Të tjerët janë të rinj, që i përkasin grupit të zjarrit, të maskuar, të paguar, për të sulmuar policinë”, theksoi Rama.