×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Rama për “Der Spiegel”: Ne jemi si afganët, por afganët e Evropës

    Reporteri
    07 Tetor 2021 | 22:32

    “Ne jemi si afganët, por afganët e Evropës”, thotë kryeministri Edi Rama për Jan Puhl, në një intervistë ku flet për strehimin e qindra refugjatëve nga Afganistani, për zhgënjimin nga Bashkimi Evropian dhe për faktin që mungesa e Merkelit do të ndihet së tepërmi, pasi ajo kishte një vizion për Ballkanin.

    “Ne jemi të ndarë për gjithçka në Shqipëri dhe ndonjëherë nuk pajtohemi edhe për faktin se sa është ora. Por, partitë tona nuk ndryshojnë në këtë çështje. Ne kemi pasur gjysmë milion refugjatë të regjistruar gjatë Luftës së Kosovës”, ka thënë Rama për gazetën e njohur gjermane ”Der Spiegel”.

    SPIEGEL: Vendi juaj është bërë shtëpia e afganëve, të cilët kanë ikur kur talebanët morën përsëri pushtetin, në mes të gushtit. Sa janë dhe sa do të qëndrojnë?

    Rama: Tani ka rreth 1 000 afganë dhe amerikanët po sjellin akoma. Ne mund të marrim deri në 4 000. Këta njerëz ishin përballë talebanëve dhe u shërbyen trupave të NATO-s, për shembull si përkthyes. Ne nuk duhet t’i zhgënjejmë. Ata do të qëndrojnë derisa të marrin viza për në SHBA. Procedurat do të marrin shumë kohë.

    SPIEGEL: Shqipëria nuk është vendi më i madh dhe më i pasur në Evropë. Si ndodhi që u arrit deri në këtë pikë?

    Rama: Fillimisht u futëm nga organizatat joqeveritare për t’u dhënë ndihmën afganëve. Ne thamë menjëherë ”po” sa na u kërkua nga qeveria amerikane. Ata ishin nën presion sepse kishte vetëm disa vende që donin të merrnin refugjatë.

    SPIEGEL: Pse Shqipëria ra dakord?

    Rama: Ne nuk mund të kishim refuzuar! Kodi i nderit i shqiptarit vjen që nga Mesjeta. Mikpritja luan një rol qendror dhe kjo është e vërtetë edhe sot. ”Shtëpia juaj i përket Zotit dhe mikut”, thotë ky kod nderi. Kjo nuk është vetëm për atë mik që ju ftoni, për të të gjithë ata që ju trokasin në derë. Tradicionalisht për ne e pamundur të refuzosh ndokënd. Kjo është edhe arsyeja pse Shqipëria ishte vendi i vetëm pas Luftës së Dytë Botërore që kishte më shumë hebrenj se para fillimit të saj.

    SPIEGEL: A do të thotë kjo se edhe popullata e mbështet atë? Vendimi për të marrë mijëra afganë?

    Rama: Ne jemi të ndarë për gjithçka në Shqipëri dhe ndonjëherë nuk pajtohemi edhe për faktin se sa është ora. Por, partitë tona nuk ndryshojnë në këtë çështje. Ne kemi pasur gjysmë milion refugjatë të regjistruar gjatë Luftës së Kosovës. Në vitet e fundit më shumë se 3 000 iranianë erdhën tek ne, anëtarë të opozitës të cilët ishin persekutuar brutalisht. Ne jemi si afganët, por afganët e Evropës. Vendi ynë ishte plotësisht i izoluar nën regjimin e Enver Hoxhës, madje as pjesë e Traktatit të Varshavës. Te pika e kthesës, të gjitha institucionet u rrëzuan dhe vendi ishte si në luftë civile. Në atë kohë shumë anije u mbushën me njerëz dhe u nisën drejt Italisë. Ne e kemi përjetuar të qenit refugjatë.

    SPIEGEL: Në vendet e tjera evropiane politikat e migrimit janë shumë të diskutueshme, ekziston frikë nga refugjatët që janë karburanti i partive populiste të krahut të djathtë. Pra, a janë shqiptarët imunë ndaj pakënaqësisë?

    Rama: Hapja jonë është një trashëgimi e madhe dhe të shumtë duhet të jenë ata që duhet të marrin prej saj. Edhe ne jemi një vend anëtar i NATO -s, vetëm se kontributi ushtarak i Shqipërisë nuk është i madh. Por, shumë besojnë se ne mund të ndihmojmë ndryshe. NATO është një bashkësi vlerash. Ne thjesht nuk mund të kthejmë shpinën në këto momente. Është tronditëse se si ekstremi i djathtë po dikton sot debatin lidhur me emigrantët në shumë vende, veçanërisht në ato të pasura.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!