Deputeti i PD-së Agron Shehaj ka paralajmëruar se qeveria po bëhet gati që koncesionin e kolaudimit të automjeteve në Shqipëri, t’ia dhurojë shumë shpejt bizneseve afër kryeministrit Rama në formën e tenderit.
Përmes një postimi në rrjetin social, Shehaj shkruan se Ministria e Infrastrukturës njoftoi pa shumë zhurmë zgjatjen e koncensionit ( i firmosur 10 vite më parë nga Berisha) me kompaninë SGS edhe për një vit e gjysëm. Më pas, shkruan Shehaj, qeveria është bërë gati që kontrollin teknik të automjeteve të mos e marrë vetë në dorë shteti si proces, por ta japë sërish me koncension, por kësaj here në xhepat e miqve të kryeministrit. Shehaj thekson se fjala bëhet për të paktën 20 milionë euro fitime, të cilat nuk do të shkojnë në arkën e shtetit, por në xhepat e oligarkëve pranë qeverisjes së të majtëve.
STATUSI I PLOTË I SHEHAJT:
Përmes një procesi tërësisht jo transparent qeveria e Edi Ramës, po përgatit një koncesion të ri 20 milionë euro për klientët e saj në kurriz të qytetarëve shqiptarë.
Ministria e Infrastrukturës njoftoi sot se ka shtyrë me 1 vit e gjysmë afatin e koncesionit të kontrollit teknik të atutomjeteve.
Ky koncesion është dhënë në vitin 2009 nga qeveria e partisë demokratike për ngritjen e një shërbimi që në atë kohë ishte inekzistent. Sipas marrëveshjes, koncesionarit privat ju ngarkua detyra për të ndërtuar investuar 7 milionë euro për ndërtimin e 15 pikave të kontrollit të mjeteve në të gjithë territorin e vendit. Në këmbim shteti i ofroi ekskluzivitetin e këtij shërbimi për 10 vjet.
Afati 10 vjecar i kontratës koncesionare përfundoi, një ditë më parë, pra në datën 3 shtator dhe sipas marrëveshjes shërbimi i kolaudimit duhet ti rikthehej shtetit së bashku me ambientet dhe gjithë asetet e koncesionit. Por cfarë ka bërë Ministria e Infrastrukturës.
Përmes një marrëveshje shtesë, tërësisht jo transparente, Ministria ka vendosur ta zgjasë afatin e koncesionit edhe më 16 muaj të tjera, deri në fund të vitit 2020 pas asnjë detyrim apo investim shtesë për kompaninë koncesionare.
Vetëm përmes këtij akti, Edi Rama dhe Belinda Balluku kanë devijuar të paktën 2 milionë euro nga buxheti i shtetit në llogarinë e koncesionarit për interesa që vetëm ata i dine mire.
Por nuk mbaron me kaq. Në deklaratën zyrtare për zgjatjen e afatit, qeveria shpalos dhe planet se cfarë do të ndodhë me kontrollin teknik të automjeteve në të ardhmen. Sipas saj përgjatë periudhës koncensionare qeveria, mund të kryejë procedurat për lidhjen e një kontratë/marrëveshjeje me subjekte të tjerë për ofrimin e shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve, të cilët do të zëvendësojnë koncesionarin aktual.
Pra është e qartë se Edi Rama dhe Belinda Balluku kanë nisur tashmë procedurat, që kontrollin teknik të automjeteve tja kalojnë me koncesion në kushte monopol klientëve të tyre. Kontrata ekzistuese me kompaninë zviceriane SGS do të zvënedësohet me një koncesion tjetër, por këtë herë me klientët e zakonshëm të qeverisë, oligarkët vendas.
Ky plan, parashikon që shërbimi i kontrollit teknik të automjeteve të mbetet monopol edhe për dhjetë vitet e ardhshme, me qëllim që oligarkët dhe Edi Rama të ndajnë të paktën 20 miluionë euro fitime, pasi vetëm vitin e kaluar fitimet neto të këtij koncesioni ishin 1.6 milionë euro dhe rriten me 20 për qind nga viti në vit. Kjo është arsyeja se pse qeveria nuk pranon liberalizimin e shërbimit të kolaudimit dhe pse nuk e rimorri këtë shërbim në pronësi shtetërore ashtu sic parashikon kontrata koncesionare.