Një ngjarje e pazakontë vjen nga Kukësi. Protagonist është një burrë, i cili për 21 vjet, të paktën në letra kishte një vajzë, që “vdiq” në 2021-n. Në fakt bëhet fjalë për një mashtrim, i gjithi në funksion të përfitimit të më shumë parave të pensionit, sipas ligjit të asaj kohe.
Skema u zbulua nga policia, e cila pas disa muaj hetimesh arriti të zbulonte se ky fëmijë nuk kishte lindur e as nuk kishte vdekur kurrë.
Kështu, Xhevit Sopaj, sot 57 vjeç mendoi që në rininë e tij për pensionin. Në moshën 34-vjeçare, Sopaj iu drejtua Gjendjes Civile dhe me anë të dokumenteve të falsifikuara regjistroi si vajzën e tij të porsalindur identitetin e një bebeje që nuk ekzistonte.
Pas 21 vitesh, në 2021-n, nëpërmjet një skede të vdekjes së vajzës “fantazmë”, gjithashtu të falsifikuar, e çregjistroi atë nga Gjendja Civile.
Për ta realizuar të gjithë këtë skenar, 57-vjeçari dyshohet se u ndihmua nga një mjek dhe administratori i një agjencie funerale.
Xhevit Sopaj u arrestua nga Policia e Kukësit dhe akuzohet për mashtrim e falsifikim. Ndërsa mjeku dhe administratori po hetohen në gjendje të lirë, për të provuar nëse kanë pasur apo jo gisht në nxjerrjen e dokumenteve të falsifikuara që përdori 57-vjeçari. /tvklan.al