Një anije me pronësi shqiptare është rrëmbyer nga piratët e Guineas. Mediat e huaja kanë publikuar lajmin ku tregojnë se anija me emrin Stevia kishte në ekuipazh shtetas ukrainas dhe dy shtetas të tjerë të cilët ende nuk janë identifikuar.
Sipas mediave, piratët sulmuan anijen e cila është në pronësi të një kompanie shqiptare, një ngjarje e ndodhur 52 kilometra në jugperëndim të Brass-it në Nigeri. Anija po lundronte nga Porti Harcourt drejt bregut të Fildishtë. Ngjarja mbetet e paqartë, pasi edhe autoritetet lokale në Nigeri nuk kanë dhënë më detaje, lidhur edhe nëse kërkohen para për lirimin e marinarëve të marrë peng.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur me datë 16 dhjetor. Edhe zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Ukrainase Oleg Nikolenko ka reaguar duke thënë:
“Jemi në dijeni të situatës. Si rezultat i një sulmi piratësh mbi një anije në brigjet e Nigerisë më 16 Dhjetor. 8 anëtarë të ekuipazhit janë kapur, duke përfshirë 6 qytetarë ukrainas”.
Ambasada ukrainase ndërkohë po bashkëpunon me autoritetet në Nigeri dhe Shqipëri duke qenë se anija është me pronësi shqiptare. Nuk është hera e parë që piratët sulmojnë në zona të tilla, ku kalojnë anije komerciale, me mallra dhe me produkte transporti.