×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Rrezikoheshin 236 mln dollarë, Shqipëria fiton gjyqin me kompaninë e nxjerrjes së naftës “Bankers”

    Reporteri
    27 Qershor 2024 | 19:03

    Pas disa vitesh procedura, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ka vendosur në favor të Shqipërisë në çështjen që kishte përballë Bankers Petroleum. Kompania e nxjerrjes së naftës njoftoi hapjen e padisë në gjykatën e arbitrazhit pasi administrata tatimore urdhëroi bllokimin e llogarive të saj bankare, duke kërkuar 75 milionë dollarë taksa të pretenduara në bazë të një rivlerësimi tatimor.

    Shqipëria ka fituar gjyqin me kompaninë e nxjerrjes së naftës “Bankers Petrolum”. Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë ka rrëzuar pretendimet e Bankers që kërkonte më shumë se 236 milionë dollarë dëmshpërblim.

    Mosmarrëveshja, e çuar në arbitrazh nga Bankers lindi pasi administrata tatimore në vitin 2015 urdhëroi bllokimin e llogarive të saj bankare, duke kërkuar 75 milionë dollarë taksa të pretenduara si të padeklaruara. Lidhur me vendimin ka reaguar edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

    “Në përfundim të gjykimit, dhe pse Bankers kërkoi me anë të arbitrazhit të mbajë të gjitha shumat e gjeneruara nga prodhimi i fushës së Patos Marinzës me anë të procedurës së rikuperimit të kostove, Shqipëria ja doli të ketë epërsi mbi shumë nga çështjet e interpretimit të Marrëveshjeve përpara Tribunalit.”

    Bankers Petroleum ka pasur një mosmarrëveshje të gjatë me autoritetet shqiptare në lidhje me nivelin e shpenzimeve të rikuperueshme sipas kontratës koncesionare të nxjerrjes së naftës në Patos Marinzë. Referuar vendimi të gjykatës, Bankers do të duhet t’i kthejë Shqipërisë një pjesë të fitimeve të padeklaruara.

    “Një rezultat i tillë vepron si një precedent i rëndësishëm për llogaritjet e ardhshme të tatimit mbi fitimin si në Patos Marinzë ashtu edhe në të gjitha asetet e tilla që i përkasin shtetit shqiptar ku zbatohen marrëveshje të ngjashme licencimi. Vendimi është gjithashtu një përligjie e fortë e auditimeve të shtetit në aktivitetet e hidrokarbureve si dhe e vendimit të tij për të kundërshtuar kostot e rikuperuara.”

    Pas një auditi në vitin 2015, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore pretendoi për një shumë prej 247 milion dollarësh shpenzimesh të pajustifikuara, të cilat nuk ia njohu si kosto që zbriten për efekt tatimi, por Bankers nuk pranoi të paguante detyrimet. Palët më pas ranë dakord që kompania të pezullonte gjykimin në arbitrazh dhe një ekspert i pavarur të jepte një opinion se kush kishte të drejtë.

    Por më pas, AKBN njoftoi se do t’i drejtohej Arbitrazhit për të ankimuar vendimin e një paneli me tre ekspertë, të cilët i dhanë të drejtë kompanisë Bankers Petroleum./A2/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!