Rasti i Shkodrës, ku u helmuan 61 fëmijë të një shkolle të mesme, ka alarmuar prindërit. Ata thonë se nuk janë të sigurt për produktet që tregtohen pranë shkollave ndërsa kërkojnë më tepër kontroll.
Megjithatë nga institucionet apo ministritë ende nuk ka asnjë reagim
Teksa analizat do të nxjerrin shkakun e helmimit të 61 nxënësve në Postribë të Shkodrës, institucionet qëndrojnë në heshtje duke ia kaluar përgjegjësinë njëri-tjetrit.
AKU thotë se prej nisjes së vitit të ri shkollor ka urdhëruar drejtoritë rajonale për inspektime por ende nuk ka rezultatet e tyre, ndërsa nga Ministria e Arsimit nuk ka ende reagim.
Në Shkodër i vetmi që ka reaguar ka qenë prefekti Çesk Millja duke thënë se janë angazhuar të gjithë strukturat.
Millja: Të mbajnë përgjegjësitë individuale, kolektive me qëllim që fenomeni të mos ndodhë.
Në kryeqytet janë të shpeshta rastet kur pranë institucioneve arsimore operojnë fast foode apo subjekte që tregtojnë produkte të ndryshme.
Fëmijët janë klientë të rregullt në to, ndërsa prindërit thonë se ndihen të shqetësuar veçanërisht pas rastit të Shkodrës.
“Janë raste që ne si familjare dhe prindër duhet të na alarmojnë, por mbi të gjitha alarmi duhet të shqetësojë institucionet”
Ata apelojnë për më shumë kontrolle nga institucionet ndërsa sugjerojnë që shkollat të sigurojnë ushqim për fëmijët.
“Shumë më tepër kontroll”
“Në shkollë duhet të vijë ushqimi, kush të dojë të blejë”
Analizat për rastin e Shkodrës i kanë kaluar ISHP-së, ndërsa rezultatet përfundimtare duan të paktën edhe 4 ditë të dalin. Dyshimet janë tek një fast food që ndodhej pranë shkollës por përjashtim nuk bën as uji i pijshëm.