Pas një seance gjyqësore maratonë, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka dënuar me 5 vjet burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Tahiri është shpallur fajtor vetëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa ka rënë akuza për trafik droge dhe grup i strukturuar kriminal.
Dënimi për Tahirin do të konvertohet në 3 vjet shërbim prove. Ai përfiton nga gjykimi i shkurtuar.
Në një prononcim pas vendimit, Tahiri deklaroi: “Gjykata më tha se nuk jam kriminel, nuk jam trafikant por meqë disa kushërinj të mi kanë përdorur emrin tim kam shpërdoruar detyrën. As nuk qesh dot, as nuk qaj dot. Nesër do ju ftoj të ndajmë bashkë ca mendime”.
Tahiri paralajmëroi se do të apelojë vendimin.
Tahiri: Sigurisht që do ta apeloj. Një vendim qesharak. Do të ishte shumë më fisnike ta kishin bërë si burrat dhe të më dënonin për trafik. Isha më i qartë kur hyra sesa tani kur dola. Më duhet ta kuptoj të gjithën. Është si të shkosh në një provim, mësuesja të thotë që ke mësuar shumë mirë por hajt po të vë një 5.
Ndërkohë ish-drejtori i policisë së Vlorës, Jaled Çela, është dënuar me 3.4 vjet burg.
Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte kërkuar 12 vjet burg për Tahirin dhe me uljen e 1/3 së dënimit nga gjykimi i shkurtuar ai duhet të bënte 8 vjet burg nëse gjykata do të pranonte kërkesën.