Gjykata e Apelit vendosi 5 vite burgim për Saimir Tahirin, por me dënim të shkurtuar ish-ministri i Brendshëm do të vuajë 3 vite e 4 muaj.
Nga dyert e Gjykatës, Tahiri u dërgua i prangosur në Burgun “313” në Tiranë, ku dhe ndodhet aktualisht prej ditësh në qelinë 2 të godinës me të njëjtin numër.
Sot, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vendosi që dënimin ish-ministri ta kryejë në burgun e Fierit.
Burgu i këtij qyteti konsiderohet një nga burgjet më të mirë të Shqipërisë, që kur drejtimin e mori Arjan Hasani, i cili i dha këtij institucioni të mbyllur një fytyrë krejt tjetër.
Ky burg i sigurisë së zakonshme i ngjan në fakt një universiteti, ku mbizotëron arti i të pikturuarit nëpër mure, pastërtia dhe mirëmbajtja e ambjentit. Në burg nuk mungon as një bibliotekë e madhe prej gati 770 librash.
Prej vitesh ky institucion është mirëmenaxhuar nga drejtori Arjan Hasani. Punimet për zbatimin e këtij projekti kanë filluar në shkurt 2011 dhe kanë përfunduar në dhjetor 2014. Ky projekt kishte një vlerë ndërtimi prej 14,3 milionë € dhe vlerë mobilimi 1,7 milionë €. Kapaciteti është 600 të burgosur dhe 180 të paraburgosur, sipas një njoftimi në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Në këtë burg, Tahirit do t’i lejohet të ketë vetëm 4 vizita në muaj dhe orari është nga e hëna në të premte, ora 08:30 – 15:00.
Kujtojmë që Tahiri është dënuar nga Apeli i GJKKO me akuzën e shpërdorimit të detyrës.