×
  • Lajme
  • Shqipëria

    SHBA-ja dhe BE-ja i bëjnë thirrje për dialog spektrit politik në Shqipëri

    Reporteri
    01 Tetor 2024 | 14:12

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim dhe keqardhje për skenat që u panë një ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë dhe u bënë thirrje pushtetit dhe opozitës që të zhvillojnë dialog.

    Deputetët opozitarë, gjatë seancës plenare të 30 shtatorit, nxorën jashtë sallës karriget e tyre dhe i dogjën para ndërtesës së Kuvendit.

    “Ambasada e SHBA-së është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në Parlamentin shqiptar të hënën. Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik”, u tha në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

    Ndërkaq, më herët ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, shprehu keqardhje për atë që ndodhi në Kuvendin shqiptare.

    “Në një demokraci funksionale si Shqipëria, pakënaqësi nga më të ndryshmet duhet të shprehen në mënyrën e duhur dhe nuk duhet që të përdoret dhunë apo të bëhen dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin. Sepse deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të kenë mundësinë që të përmbushin dhe të luajnë rolin e tyre në siguri të plotë”, tha Gonzato.

    Duke kujtuar se Shqipëria ndodhet para një momenti të rëndësishëm, siç është vendimi për hapjen e negociatave me BE-në, ambasadori Gonzato tha se ky zhvillim pozitiv për Tiranën kërkon bashkëpunim mes pushtetit dhe opozitës./rel 

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!