Ambasada e SHBA ka dalë me një qëndrim në lidhje me publikimin e një pjese të draft opinionit të Venecias, ku ndër të tjera thuhej se ndryshimi ligjor i qeverisë për betimin e gjyqtarëve të lartë, ishte anti-kushtetuese.
Me një deklaratë zyrtare, SHBA shkruan se nxit të gjitha palët të respektojnë procesin e komisionit të Venecias, përfshi dhe kërkesën e këtyre të fundit për konfidencialitet. Më tutje në njoftim, Ambasada i drejtohet dhe Ramës e Presidentit Meta:
“Nxisim të gjitha palët që të respektojnë procesin e Komisionit të Venecias, përfshi kërkesën për konfidencialitet të projekt-opinionit deri sa të finalizohet. Mirëpresim vendimin e qeverisë për të mos ndërmarrë veprime të mëtejshme lidhur me legjislacionin përkatës derisa opinioni të finalizohet. Po ashtu mirëpresim deklaratën e bërë nga Presidenti Meta gjatë konferencës së tij për shtyp me Presidentin e Bullgarisë, duke afirmuar rëndësinë e një vendimi pozitiv nga BE për të hapur negociatat drejt anëtarësimit për Shqipërinë. Duhet të qëndrojmë të përqendruar tek ajo që ka më shumë rëndësi – sundimi i ligjit dhe e ardhmja e Shqipërisë në Evropë”, shkruhet në reagim.