Shtetet e Bashkuara të Amerikës i cilësojnë të rregullta zgjedhjet lokale që u mbajtën dje në Shqipëri për zgjedhjen e 61 kryetarëve të rinj që do të drejtojnë bashkitë në të gjithë vendin.
Përmes një deklarate, ambasada amerikane në Tiranë shprehet se ata që morën pjesë në zgjedhje, ashtu edhe ata që abstenuan ‘ushtruan të drejtën e tyre demokratike në mënyrë paqësore dhe ne i përgëzojmë për këtë’.
Por çfarë komenti ka ambasada për deklaratat e opozitës që nuk i njeh zgjedhjet? SHBA thekson qartë dhe prerë se ata që ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve duhet të presin Gjykatën Kushtetuese, që të ngrihet.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin përfundimet e misionit vëzhgues të ODIHR-it, sipas të cilave zgjedhjet bashkiake të 30 qershorit u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt, si dhe dhanë një vlerësim të përgjithshëm pozitiv për numërimin e votave. Ne pranojmë, megjithatë, ashtu siç e vuri në dukje edhe misioni i ODIHR-it, se ngërçi dhe polarizimi politik kontribuan për zgjedhje në të cilat votuesit nuk kishin një zgjedhje kuptimplotë.
Pavarësisht pengesave, populli shqiptar – qoftë ata që morën pjesë në zgjedhje, ashtu edhe ata që abstenuan – ushtruan të drejtën e tyre demokratike në mënyrë paqësore dhe ne i përgëzojmë për këtë. Në këtë çast, ne iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të respektojnë shtetin ligjor dhe të punojnë brenda institucioneve ngritura për të përcaktuar rrugën përpara për demokracinë shqiptare, përfshi përparimin me reformat e rëndësishme zgjedhore të rekomanduara nga ODIHR.
Ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve, mund të presin nga Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz vetingu. Si gjithnjë, Shtetet e Bashkuara janë në krah të popullit shqiptar si një vend partner, një mik dhe një aleat. Ne jemi të përkushtuar të ndihmojmë për forcimin e shtetit ligjor dhe ndërtimin e një demokracie më të fortë dhe një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë shqiptarët” mbyllet deklarata e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Opozita ashtu si dhe Presidenti i Republikës nuk i njohin zgjedhjet, pasi theksojnë se 30 Qershori ra me zhdekretimin që i bëri kësaj date kreu i shtetit, por Kolegji Zgjedhor e rrëzoi Ilir Metën, ndërsa nga SHBA-BE dhe të gjitha kancelaritë e tjera të rëndësishme europiane mbështetën datën e përcaktuar për procesin që u mbajt dje në Shqipëri.