Punimet e dobëta në rrugë kanë dalë zbuluar nga reshjet e shirave në ditët e fundit.
Rruga në fshatin Myshqeta të Tiranës është më e fundit që është çarë në mes duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve. Edhe këtu punimet janë realizuar vitet e fundit.
Për pasojë rreth 25 familje në këtë fshat e kanë të pamundur të lëvizin drejt Tiranës.
Reshjet e dendura të shiut nuk kanë kursyer as monumentet kulturore.
Vërshimi i ujërave të lumit Mat ka dëmtuar “Urën e Zogut” në Milot, çka ka bërë që trasheja të pësojë plasaritje duke humbur kështu rreth dy metra.
Monumenti rrezikon të shembet plotësisht, teksa alarmi për këtë situatë është dhënë prej kohësh, pasi këmbët janë gërryer nga shfrytëzimi pa kriter i lumit.
Një tjetër fenomen shqetësues u krijua dhe nga rrëshqitja masive e dherave në rrugën Burrel-Tiranë në afërsi ë Ulzës e cila u bllokua për disa orë duke krijuar radhë automjetesh.
Problematika u shfaqën gjithashtu në segmentin e rrugës së Arbrit në afërsi të Qafës së Buallit e deri në dalje të qytetit të Bulqizës që u pushtua nga uji dhe gurët.
Rënie gurësh pati edhe në aksin Berat-Çorovodë.
Reshjet kanë sjellë përmbytje në mijëra hektarë, ndërsa Me rreth 80 cm ujë në rrugë, fshati Obot në Shkodër vijon të mbetet i bllokuar.
Rruga Vau i Dejës-Lezhë, edhe pse e rikonstruktuar së fundmi ka pësuar rrëshqitje pranë fshatit Hajmel. Ndërsa lumi Kir vijon të gërryejë tokat në Gur të Zi.
Mjete si ky zetor janë të vetmit që mund të deportojnë në zonën e ish-kampit në Torovicë të Lezhë ku rreth 50 familje janë të bllokuara.
Në Mirditë rrjedha e lumit Fan ka shembur rrugën që lidh fshatrat me autostradën e Rrëshen-Kalimash.
Në bashkitë Shkodër e Lezhë këtë të hënë ishin nën ujë mbi 5000 hektarë tokë, dhe rreth 40 familje janë evakuar, pasi ishin të rrezikuar nga rrëshqitjet e dherave ose përmbytjet.