×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Shpërthen Ilir Meta: Rama e mbushi kupën, do të vendos unë për negociatat me Greqinë

    Reporteri
    28 Dhjetor 2020 | 15:59

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka hyrë fuqishëm në debatin që hapi opozita pas dekretit të presidentit grek për zgjerimin nga 6-12 milje detare.


    Me anë të një deklaratë publike që e ka publikuar edhe në rrjetin social, Meta paralajmëron se do të marrë një vendim të fortë për çështjen e negociatave të detit me Greqinë, pasi sipas tij qeveria vijon të mos e informojë.

    “Nuk do të lejoj për asnjë moment të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar. Sipas traditës së vendosur, pasi të vihet në dijeni të plotë të informacioneve të kërkuara zyrtarisht, do të bëj plotësisht transparent vlerësimet dhe qëndrimet e mia në lidhje me të gjitha zhvillimet ndaj kësaj çështjeje”, deklaroi Meta.

    Postimi i Plotë

    Duke mirëkuptuar ndjeshmërinë e lartë të opinionit publik shqiptar mbi aktin më të fundit të nxjerrë nga autoritetet më të larta të Republikës së Greqisë dhe pasojat e mundshme të tij ndaj vendit tonë, dëshiroj të evidentoj si vijon:

    Në ushtrim të detyrave dhe përgjegjësive të mia dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese Nr.15/2010, kam autorizuar Plotfuqinë për Negocim Nr.733, në emër të Republikës së Shqipërisë, të ekipit negociator me përbërjen e 13 anëtarëve për negocimin e “’Projekt Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare’, me qëllim saktësimin e Vijës Delimituese të Kufirit Shtetëror Detar dhe delimitimin e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike midis të dy vendeve”, datë 19.03.2018.

    Gjatë gjithë kohës, kam ofruar të gjithë bashkëpunimin në këtë proces, duke siguruar respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

    Deri në këto momente, nuk kam asnjë njoftim apo kërkesë zyrtare, që të sugjerojë ndërprerjen, pezullimin apo përfundimin e procesit të negociatave dypalëshe, nga ekipi negociator apo nga qeveria shqiptare.

    Për çdo zhvillim, që lidhet drejtpërdrejt apo ndikon në procesin e negociatave për delimitimin e hapësirës detare ndërmjet dy vendeve, kam kërkuar informacion shterues dhe analizë të plotë të qeverisë shqiptare, sipas përgjegjësive, që i takojnë sipas ligjit.

    I rikujtoj edhe një herë përfaqësuesve të institucioneve në të gjithë nivelin hierarkik shtetëror, detyrimin dhe përgjegjësinë për përputhshmërinë e plotë të veprimtarisë së tyre kushtetuese dhe ligjore, në shërbim të interesave shtetërore dhe kombëtare.

    I siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se do të vijoj të ushtroj me përgjegjësinë maksimale shtetërore dhe kushtetuese detyrat e mia dhe se nuk do të lejoj për asnjë moment të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar.

    Sipas traditës së vendosur, pasi të vihet në dijeni të plotë të informacioneve të kërkuara zyrtarisht, do të bëj plotësisht transparent vlerësimet dhe qëndrimet e mia në lidhje me të gjitha zhvillimet ndaj kësaj çështjeje.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!