×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Shqipëri: Sallonet e bukurisë ofrojnë shërbim nga 11 maji

    Reporteri
    02 Maj 2020 | 15:10

    Data 11 maj do të shënojë ngritjen e qepenave për një sërë biznesesh, të cilat më herët, klasifikoheshin me rrezikshmëri të lartë, mes tyre dhe qendrat estetike.


    Aktiviteti do të nisë nën masa të rrepta sigurie, në përputhje me portokollin e verdhë, që parashikon pajisjen me veshje plastike një përdorimshe për këpucët, karriket, poltronat, apo krevatet.

    Gjithashtu, peshqirët dhe mjetet e punës duhet të jenë të ambalazhuar dhe të dezinfektuar, ndërsa maskat dhe dorezat duhet të mbahen gjatë gjithë procesit të kryerjes së shërbimit.

    Alma Cara, posedon një qendër estetike në kryeqytet, që ka qëndruar e mbyllur prej thuajse 2 muajsh, ndërsa thotë se kërkesat gjatë kësaj periudhe kanë qenë të larta.

    ”Telefonata kemi marrë goxha pasi janë procese që duhet të bëhen muaj për muaj, siç janë prerjet, bojërat. Por e kemi pasur të pamundur të punojmë.”

    Shprehet se zbatimi i protokollit të verdhë do të ketë kosto shtesë, ndaj dhe rikthimi do të jetë për mbijetesë.

    ”Kosto rritet dhe puna bie. Ne do kemi vetëm 1 klient në dyqan, ndërkohë duhet të blejmë shumë gjëra. Nuk e di si do ja dalim por do e provojmë. Fluks do ketë, sepse siç thashë do bëjnë shërbimet e domosdoshme, kanë 2 muaj pa i bërë. Por prapë ne nuk punojmë dot, siç punonim për shkak të rregullave që janë vënë.”

    Nga data 11 maj, do të ofrojnë shërbim dentistët, berberët si dhe dyqanet e tregtimit me pakicë në qendra tregtare. Lehtësim do të ketë dhe lëvizja me autmojete për qytetarët, të cilët nuk do të jenë të detyruar që të pajisen me autorizim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!