×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Shqipëria publikon projektbuxhetin për vitin 2023, do të jetë 5.3 miliardë euro

    Reporteri
    20 Tetor 2022 | 15:20

    Rikthimi i basteve sportive nga 1 janari dhe taksa speciale për energjinë. Këtë parashikon qeveria në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Shpenzimet e buxhetit do të arrijnë, vitin tjetër, shifrën rekord prej 5,3 miliardë eurosh, nga 4,9 miliardë euro, këtë vit, me rishikimin e fundit.

    Rritja e fortë e të ardhurave do të gjenerohet pjesërisht nga masa të reja fiskale, ku nga paketa e prezantuar do të vijnë 38 milionë euro shtesë, nga rritja e çmimeve 48 milionë euro shtesë, nga rritja e ekonomisë 140 milionë euro dhe nga miradministrimi 70 milionë euro të tjera.

    Qeveria ka në plan ndërkohë rikthimin e basteve sportive nga 1 janari 2023, që pritet të sjellë nga taksat plot 2 miliardë lekë. Ndërsa prezantohet një taksim special për prodhuesit e energjisë elektrike që e kanë eksportuar atë jashtë vendit. Fitimet shtesë të këtyre kompanive, që kanë ardhur ekskluzivisht prej rritjes së çmimit në bursa do të tarifohen me 33%. Kjo taksë e veçantë pritet të sjellë në buxhet plot 71 milionë euro.

    Në krahun e shpenzimeve, qeveria do të përdorë vetëm 225 milionë euro më shumë, ndërsa pjesa tjetër e të ardhurave do të përdoret për të ulur deficitin buxhetor. Sipas tabelave të Ministrisë së Financave, deficiti do të zbresë në 472 milionë euro, apo 2,6% të PBB-së, duke zbatuar kështu rekomandimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

    Ndërkohë, në një vit elektoral investimet publike, pa përfshirë programin e rindërtimit do të rriten me plot 200 milionë euro. Qeveria parashikon për krizën energjetike, edhe një grant shtesë për sektorin prej 102 milionë eurosh.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!