×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Shqiptari e mbjell hashashin brenda shtëpisë, dalin pamjet

    Reporteri
    15 Janar 2022 | 13:23

    Policia e Shkodrës ka dhënë informacion zyrtar për zbulimin e një laboratori droge në Bërdicë brenda një shtëpie ku u sekuestruan 1200 fidanë narkotikë të kultivuar në vazo, 730 bimë të dyshuara cannabis sativa, 64 llamba elektrike, 64 impiante kondicionerësh për pastrim ajri dhe 40 stabilizatorë elektrikë.

    Gjithashtu është sekuestruar edhe një armë zjarri, fishekë luftarakë, një automjet dhe 4 celularë.

     

    Në pranga kanë përfunduar 8 shtetas, 5 prej të cilëve janë punonjës të OSHEE-së. Shpallen në kërkim pronari i banesës dhe njëri nga bashkëpunëtorët e tij.

    Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcat Operacionale dhe “Shqiponjat” e DVP Shkodër, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas kishin përshtatur katin e dytë të një banese trekatëshe në fshatin Bërdicë, për kultivimin në kushte laboratorike të bimëve narkotike cannabis sativa, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bërdica”.

    Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit: Endrit Mehaj, 38 vjeç, Tafil Brahimi, 27 vjeç, Izmir Sakicaj, 20 vjeç, banues në Shkodër dhe u shpallën në kërkim Arben Haxhia dhe E.N.

    Gjithashtu u ndaluan edhe 5 punonjës të OSHEE-së, shtetasit: Indrit Taraboshi, 38 vjeç, shef ekipi pranë OSHEE-së, Pavlin Çarri, 58 vjeç, shef teknike pranë OSHEE-së, Agron Hoxha, 61 vjeç, elektricist pranë OSHEE-së, Hektor Lami, 45 vjeç, elektricist pranë OSHEE-së, Bledar Ahmeti, 43 vjeç, lexues i OSHEE-së në zonën e Berdicës, si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Ramir Hadëri, 35 vjeç, koordinatori i zonës së shpërndarjes pranë OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në ambientet që ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, në zonën që ata kishin në monitorim.

    Shtetasit e arrestuar Tafil Brahimi, Izmir Sakicaj dhe Endrit Mehaj, në momentin që është zhvilluar operacioni ndodheshin në ambientet e banesës që ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.

    Nga kontrolli i magazinave dhe banesave u sekuestruan 1200 fidanë narkotikë të kultivuar në vazo, 730 bimë të dyshuara cannabis sativa, 64 llamba elektrike, 64 impiante kondicionerësh për pastrim ajri, 40 stabilizatorë elektrik, një armë zjarri, fishekë luftarakë, një automjet dhe 4 celularë.

    Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

    Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Armëmbajtja pa leje”, “Fshehja e të ardhurave”, ”Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!