×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Situata e koronavirusit në Shqipëri: 28 raste të reja, në total 361 të infektuar, 20 viktima

    Reporteri
    05 Prill 2020 | 12:10

    Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 28 raste të reja me Covid-19 në Shqipëri, mes tyre edhe një fëmijë.


    Në një dalje për mediat, kreu i ISHP-së, Albana Fico, bëri më dije se në total janë 361 raste të infektuar në të gjithë vendin.

    Në 24 orët e fundit janë testuar 149 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 28 raste të reja me COVID-19, nga të cilët 1 fëmijë.

    Deri në këto momente janë testuar 2396 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 361 raste.

    Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç.

    Gjatë mbrëmjes së djeshme afër mesnatës se një 80-vjeçare nga Shkodra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. E moshuara ishte paraqitur mëngjesin e datës 4 Prill në spital.

    80-vjeçarja u izolua si e dyshuar me COVID dhe i janë bërë të gjitha ekzaminimet e duhura. E moshuara ishte vendosur menjëherë në terapi intensive.

    Në mbrëmje ka dalë përgjigjia e analizave, pozitive me COVID-19. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore transporti ka qenë i pamundur dhe afër mesnatës e moshuara ka ndërruar jetë.

    Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes të të ndjerës.

    Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 5 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 104.

    Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 64 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa një është i intubuar.

    Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar gjithsej, ku 6 pacientë janë në terapi intensive, prej të cilëve 2 janë të intubuar, ndërsa 1 pacient ndodhet në pavion.

    Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 71 pacientë.

    Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër.

    Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

    – Tiranë 174 raste
    – Durrës 36 raste
    – Lushnje 5 raste
    – Elbasan 10 raste
    – Fier 25 raste
    – Kavajë 8 raste
    – Rrogozhinë 4 raste
    – Korçë 16 raste
    – Vlorë 5 raste
    – Shkodër 38 raste
    – Lezhë 14 raste
    – Berat 1 rast
    – Has 9 raste
    – Krujë 5 raste
    -Tropojë 4 raste
    – Pukë 4 raste
    – Mirditë 3 raste

    Kjo rritje e numrit të rasteve në Shkodër dhe Tiranë tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike.

    Aktualisht po kryhet hetimi epidemiologjik në terren edhe me një ekip të Institutit të Shëndetit Publik.

    Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social.

    Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

    Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!