×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Situata me Coronavirusin, Shqipëria porosit edhe 30 mijë teste

    Reporteri
    06 Prill 2020 | 21:19
    Foto: Ilustrim

    Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u shpreh sot se, Shqipëria është përfshirë në nismën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë “Public Health Emergency Solidarity Trial”, për t’u bërë pjesë e një studimi klinik ndërkombëtar për optimizimin e protokolleve për trajtimin e COVID19.


    “Për trajtimin e pacietëve me COVID-19 po ndiqen protokollet si në vendet e tjera, përdorim po ato linja trajtimi. Shqipëria për herë të parë do të jetë pjesë e një studimi të madh klinik, “solidarity trial”, iniciuar nga OBSH. Do jemi pjesë e një skuadre botërore për hetimin klinik duke përfshirë antiviralët dhe hydroxychloroquine”, tha ministrja.

    Manastirliu deklaroi se strategjia e testimit vendoset nga ekspertet dhe se gjurmimi epidemiologjik kryhet sipas standardeve: “Ne nuk kemi probleme me kapacitetet. Kemi aktualisht dhe kemi porositur edhe 30 mijë teste të tjera. Por strategjinë e testimit e vendosin ekspertët. Ne po zbatojmë rekomandimet e OBSH-së për testim testim testim për çdo rast të dyshuar”.

    Ajo u shpreh se Shkodra është një qytet që ka dy vatra që janë zbuluar nga njësitë dhe strukturat e shëndetësisë. Është bërë një hetim i imtësishëm nga epidemiologet e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik.

    “Kam një apel që dua ta bëj jo vetëm qytetarëve të Shkodrës por edhe të Tiranës e të gjithë Shqipërisë: Të respektojnë masat e marra, të respektojnë distancimin social, është e vetmja armë për të mundur COVID-19″, tha Manastirliu.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!