Prokuroria e Posaçme (SPAK) i ka komunikuar sot, më 20 tetor 2026, akuzat përfundimtare ish-numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku.
Sipas SPAK, ajo akuzohet për disa vepra penale, mes tyre shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë (në 9 raste), korrupsion pasiv dhe fshehje apo deklarim të rremë të pasurisë.
Ndërkohë, SPAK bën me dije se po vijon veprimet procedurale për t’ua komunikuar akuzat edhe personave të tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje penale, shkruan TvKlan.
Prokuroria njofton se detaje të tjera për çështjen do të bëhen të ditura në një moment të mëvonshëm.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar sot, më 20.10.2026, të pandehurës Belinda Balluku akuzat përfundimtare për veprat penale të mëposhtme:
• “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
• “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
• “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
• “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.
• “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme).