×
  • Lajme
  • Shqipëria

    SPAK sekuestron llogaritë bankare të kardiokirurgut Edvin Prifti

    Reporteri
    14 Maj 2021 | 17:00

    Është vendosur sekuestrim mbi llogaritë bankare të kardiokirurgut Edvin Prifti. Vendimi është dhënë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Aktualisht mjeku Prifti nuk ndodhet në burg, por është pezulluar nga puna pasi ndodhet në hetim. SPAK e akuzon për korrupsion pasiv dhe për pastrim parash përmes skemave fiktive që pretendohet të ketë ngritur përmes dy kompanive.


    Në njoftimin e SPAK thuhet se: Duke qenë se ekziston dyshimi që shumat e parave të depozituara në bankë, në Cash, nga ana e të hetuarit E. P. (në llogarinë personale apo të PF të krijuar prej tij) janë produkte të veprës penale, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Gjykatës vendosjen e sekuestros preventive.

    SPAK ka sekuestruar nga llogaritë bankare të tij:

    • Sekuestrimin e shumës 51.479.368 Lekë.
    • Sekuestrimin e shumës 177.497 Euro.

    Mjeku kardiolog Edvin Prifti u pezullua nga detyra nga SPAK për shkak të akuzave për korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike. Pas kontrollit në shtëpinë e tij, i janë gjetur një shumë prej 200 mijë eurosh dhe 16 milionë lekësh. Ndërsa më herët, në zyrën e kardiologut në QSUT u sekuestruan 50 mijë euro dhe 30 milionë lekë të vjetra. Mjeku ka deklaruar se të gjitha paratë që ka dhe shumat që iu gjendën në shtëpi vinin nga një shitje dhe se dëshironte t’i depozitonte në bankë, dhe se më shumë se 200.000 euro i ka fituar përmes çmimeve ndërkombëtare.

    Emri i mjekut Prifti doli në përgjimet ndaj Gjyqtares së Krujës. Sekretarja e Gjykatës në Krujë i kishte kërkuar mjekut Prifti të operonte nënën e saj jashtë radhës, kundrejt një shume parash.

    NJOFTIMI I PLOTË NGA SPAK

    Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime në kuadër të procedimit penal nr.102/2 të vitit 2020, në ngarkim të të hetuarit E. P. (aktualisht nën masën e sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale), i dyshuar për kryerjen e veprave të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” (më shumë se një rast) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 259 dhe 287 të Kodit Penal.

    Policia Gjyqësore pranë Policisë së Shtetit ka kryer një hetim të thelluar financiar dhe pasuror të shtetasit E.P. dhe subjekteve tregtare të krijuar prej tij (Persona Fizik). Falë një hetimi intensiv u grumbulluan prova që krijojnë dyshime se nga ana e të hetuarit është ngritur një skemë e mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore fallco me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve. Gjithashtu nga verifikimi i llogarive bankare të shtetasit E.P. apo personave fizik të regjistruar në emër të tij është konstatuar se ky shtetas kryente depozitime Cash në llogari bankare të hapura në banka të ndryshme të nivelit të dytë.

    Nisur nga sa më sipër, duke qenë se ekziston dyshimi që shumat e parave të depozituara në bankë, në Cash, nga ana e të hetuarit E. P. (në llogarinë personale apo të PF të krijuar prej tij) janë produkte të veprës penale Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Gjykatës vendosjen e sekuestros preventive.

    Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.150 datë 11.05.2021, ndërmjet të tjerave ka vendosur:

    Vendosjen e sekuestros preventive mbi llogaritë bankare (llogari rrjedhëse, depozitë pa/me afat apo investime në obligacione) në emër të shtetasit E. P. apo subjekteve tregëtare në pronësi të tij në shumat:
    • Sekuestrimin e shumës 51.479.368 Lekë.
    • Sekuestrimin e shumës 177.497 Euro.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!